BDI dorëzoi Interpelancë ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski. Ilir Hasani nga kjo parti sqaroi se kërkesa për përgjegjësi është për shkak të deklaratave të Kostadinovskit lidhur me Ligjin për gjuhët, me të cilat ka shkelur Kushtetutën, duke thënë se ai ligj ka shkaktuar kaos në shoqëri.
“Sipas cilit nen të Kushtetutës apo ligjit konkret, kryetari i Gjykatës Kushtetuese guxon të karakterizojë një ligj si burim të kaosit politik dhe juridik? Dhe a është në kompetencën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të konstatojë probleme në zbatimin e ligjit dhe të parashikojë ndërhyrje ligjore? Këto deklarata i tejkalojnë kompetencat e përcaktuara me ligj dhe ngritin dyshime serioze për paanshmërinë dhe objektivitetin e kryetarit të gjykatës”, tha Ilir Hasani.
Për më tepër, në kërkesën për përgjegjësi për Kostadinovskin thuhet se ai përdor terminologji diskriminuese në komunikimin me Komisionin e Venecias.
“Në kërkesën drejtuar Komisionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese, përmes kryetarit të saj, përdori fjalën “pakicë”, e cila realisht nuk ekziston në Kushtetutën tonë. Kushtetuta njeh vetëm termin “bashkësi joshumicë”. Çdo shmangie nga kjo terminologji përbën shkelje kushtetuese dhe politike të Kushtetutës dhe ligjeve”, deklaroi Hasani.
Nga Gjykata Kushtetuese nuk dëshirojnë të komentojnë nismën për interpelancë dhe i referohen qëndrimit të mëparshëm, ku theksohet se gjykata është organ i pavarur, se në Kushtetutë nuk është paraparë mundësia për shkarkimin e gjykatësit dhe se instituti i interpelancës nuk mund të zbatohet për gjykatësit kushtetues.
“Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Dr. Darko Kostadinovski, mbetet në qëndrimin se nuk do të komentojë deklarata dhe veprime politike. Në lidhje me mundësinë e interpelancës për një gjykatës kushtetues, Gjykata tashmë ka dhënë qëndrim zyrtar”, tha Gjykata Kushtetuese.
Debati për Ligjin për përdorimin e gjuhëve është shtyrë, pasi Gjykata Administrative anuloi zgjedhjen e gjykatëses Elizabeta Dukovska, pas së cilës Kostadinovski tha se debati do të mbahet kur Gjykata Kushtetuese të jetë e kompletuar.
