Interes i dobët i deputetëve për procesin e integrimit, Maleska: Vetëm 19 nga 120 deputetë kanë treguar interes

TË FUNDIT

Interes i ulët tek deputetët për përgatitjen e procesit të integrimit evropian. Vetëm një numër shumë i vogël ka kthyer përgjigje mbi atë se çfarë u nevojitet për t’u përgatitur më mirë për integrimin në BE. Neda Maleska Saçmaroska, pjesë e këtij hulumtimi, tha se Kuvendi mund të bëjë shumë për të mbajtur procesin e integrimit evropian në agjendë dhe për të vënë në fokus reformat që duhen zbatuar.

“Fatkeqësisht, shkalla e përgjigjeve nga deputetët është jashtëzakonisht e ulët. Nga 120 deputetë, vetëm 19 janë përgjigjur. Deputetët nga shumica qeverisëse janë përgjigjur më shumë se ata të opozitës”, tha Neda Maleska Sachmaroska – Qendra për Menaxhim me Ndryshime.

Ermira Reshidi nga UNOPS – Zyra e Kombeve të Bashkuara për Projekte – tha se duhet të gjendet një mënyrë për të nxitur deputetët që të kenë më shumë interes për të mësuar mbi sfidat e integrimit evropian.

“Fatkeqësisht, këtu nuk kemi deputetë. Ne dëshironim të diskutonim këtë në forum, për të marrë më shumë informacione se cilat janë mënyrat e të mësuarit që preferojnë deputetët dhe që do të na ndihmojnë të krijojmë një sistem më të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të të mësuarit”, tha Ermira Reshidi – UNOPS.

Deputetja Marija Petrushevska theksoi se është e nevojshme një kuptim më i madh i rëndësisë së vetë procesit të integrimit evropian.

“Është shumë e rëndësishme, madje edhe për ne si deputetë, që kur flasim për integrimin evropian – të cilin e quajmë prioritet strategjik të vendit – ta kuptojmë plotësisht se çfarë nënkupton ai proces, çfarë përfaqësojnë marrëveshjet me BE-në dhe çfarë përmbajnë marrëveshjet e reja që kemi nënshkruar”, shtoi Marija Petrushevska, deputete, VMRO-DPMNE.

Ky hulumtim u realizua me mbështetjen e projektit “Mbështetje për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut”, i zbatuar nga UNOPS.