Interes dhe nervozë në pikat e vaksinimit! Pritje të gjata në Poliklinikën “Bukuresht”, më pak në “Bit Pazar”

TË FUNDIT

Nervozizëm nga pritjet e gjata për t’u vaksinuar e rivaksinuar në Poliklinikën “Bukuresht” në Shkup.
Masa për kufizime për të pavaksinuarit, duket të ketë nxitur qytetarët drejt imunizimit.
Rendin po mundohen ta mbajnë edhe ushtarët, të cilët edhe u ndihmojnë më të moshuarve.
Po nga pritjet dy-tre orëshe, durimi i qytetarëve ishte sosur, gjë që e shprehën edhe para kamerës së TV21.

“Dy-tre orë sigurisht, është shumë ngadalë, nuk janë efikas, megjithatë…”

“Kjo është katastrofë, duhet të lëshohen të gjitha klinikat, jo vetëm një vend ne jemi qytete milionëshe, shtet i madh. Shikoni si janë ndalur njëri-pranë tjetrit se dimë kush është i sëmurë, mund të infektohemi. Unë kam një orë që kam ardhur, jam me tension të lartë dhe mund të bie”.

“Isha te mjeku amë, nuk di për ku të më udhëzojë, e unë pash në televizion se në këtë ndërtesë duhet dhe erdha. Njerëzit nuk duhet të frikësohen, unë jam operuar dy herë dhe nuk frikësohem”.

“Po pres që dy orë dhe kam ardhur nga Draçeva. Nuk u desh Filipçe tani të hapë pika të reja, por u desh që atëherë, nuk u desh të mbyllet salla “Boris Trajkovski”. Nuk është e detyrueshme, por është e domosdoshme vaksina a?! Filipçe dështoi, shëndetësinë e ka bërë të korruptuar, në krye me të”.

Interesimi i qytetarëve nga e hëna është rritur, e pritjet po shkaktohen për shkak të mungesës së kuadrove, thonë prej këtu.

“Mundohemi të mos ketë pritje, mirëpo me resurset dhe hapësirën që disponojmë ka pritje edhe më të gjata. Po nga e hëna kemi interesim më të lartë, nuk e di a ka të bëjë me masat restriktive, apo sepse pacientëve u është lënë në dorë të zgjedhin me cilën vaksinë duan të imunizohen”, u shpreh Sanja Mlladenovska – mjeke.

Mjeket nuk e lejuan ekipin e TV21 që brenda të xhirojë procesin e vaksinimit. Ndërkaq që sot janë vënë në funksion edhe katër pika të reja për vaksinim në kryeqytet.

“Për shkak të përkeqësimit të situatës me Covid-19, gjegjësisht rritjes rapide të rasteve të reja të të infektuarve me virusin korona, është rritur interesimi për imunizim me vaksina anti-covid. Për këtë arsye janë hapur edhe katër pika shtesë për vaksinim një nga ato është edhe kjo ku ndodhemi në Bit Pazar, një në Çento, një në Draçevë dhe një në Gjorçe Petrov”, raporton gazetarja Almedina Ismajli.

Në këtë Poliklinikë nuk kishte radhë të gjata të qytetarëve dhe gjithçka shkonte sipas rendit. Nga ora 8 e mëngjesit kur edhe ka nisur vaksinimi e deri në 12 të drekës janë imunizuar 150 qytetarë.

“-Ka shumë interesim, deri tani janë bërë një 150 pacientë, më shumë ka me Pfizer dhe Sinovac.
-Çfarë moshash po vijnë më shumë?
-Ka edhe mosha të reja, ka edhe mosha mbi 40-50 vjeçare”, shprehet infermierja Isra Qaili.

Nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se vetëm dje janë vaksinuar rreth 15 mijë qytetarë, ndërkaq nga fillimi janë aplikuar gjithsej 998,876 vaksina, prej tyre 446,613 qytetarë kanë marrë nga dy doza. Përndryshe të dielën është paralajmëruar një protestë kundër masave që i ka vendosur Qeveria për mbrojtje nga koronavirusi, e që do të nisin të zbatohen nga 16 gushti. Në njoftimin për protestën theksohet se është jopartiake dhe se të gjithë qytetarët janë të ftuar.