“Instituti Gjyqësor nuk mund të funksionojë me 500 mijë euro”

TË FUNDIT

Instituti Gjyqësor i Kosovës (IGJK) vazhdon të përballet me probleme buxhetore, që ka ndikuar edhe në funksionimin e punës së tij gjatë vitit të kaluar, kështu ka bërë të ditur drejtori i IGHK-së, Lavdim Krasniqi, para Komisionit për Legjislacion. Krasniqi, sqarojë se shkurtim i buxhetit ka rrezikuar edhe mos mbajtjen e trajnimeve fillestare për gjyqtarë dhe prokuror në tetor të vitit 2014.

“Lidhur me buxhetin përfundimisht do të theksoj se na janë paraqitur sfida në tetor të vitit 2014 për shkak të shkurtimeve buxhetore për të gjitha organizatat buxhetore, përfshirë edhe IGJK-në për kundër rritjes së buxhetit me kërkesë të vet këtij komisioni në tetor të vitit 2013 me arsyen se na duheshin ato mjete për trajnimin fillestar për kandidatët për gjyqtarë dhe pikërisht shkurtimi i buxhetit e goditi këtë program. Por, kemi arritur qe këtë sfidë ta tejkalojmë vetëm me mbështetjen e donatorëve. Kështu që trajnimi nuk është ndërprerë por ne kemi pasur sfidë që në tetor ta ndërpresim për shkak të atij vendimi”, tha Krasniqi.

Sipas Kryetares së Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ky institucion me 500 mijë euro nuk mund të funksionoi si duhet.

Deputetët nga ana tjetër, patën shumë pyetje për Krasniqin.
“Për çka trajnime të vazhdueshme, a kemi ligje të reja, a kemi legjislacion të ri, kod penal të ri, do të thotë çështjet civile, avancim. Kjo tregon se kemi një neglizhencë të theksuar të drejtësisë në vend apo ikje nga përgjegjësia dhe grumbullim lëndësh në gjyqësor. Sepse po të kemi trajnime të vazhdueshme 145 ditë, mungesë punës të prokurorëve dhe gjyqtarëve në vendet e tyre të punës…ajo ku dua të dal është kush janë trajnuesit, të kam thënë futi në raport trajnuesit, kush janë ata prokuror e gjyqtarë që 145 ditë japim mësim tek ti në institucionin e juaj”, ka thënë Deputeti i LDK-së Armend Zemaj.

Ndërsa, deputetja e pavarur Margarita Kadriu shtroi dilemën se cili është niveli i gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët trajnohen nga IGJK-ja.

Por, në përgjigjën e tij, drejtori i IGJK-së, Lavdim Krasniqi tha se nuk janë ata që e vlerësojnë nivelin e atyre që kryejnë trajnimet, por tha se trajnimet nuk mund t’ua japin prokurorëve guximin dhe vullnetin.

Në këtë mbledhje, Komisioni ia delegoi kompetencat për hartimin e ligjit për Kuvendin dhe rregulloren e punës së Kuvendit, nën komisionit për mandate, imunitete dhe rregullore të punës së Kuvendit.
Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu tha se kryesia e Kuvendit me 30 mars e ka ngarkuar komisionin për legjislacion që ta hartoi dhe procedoi projektligjin për Kuvendin dhe rregulloren e Kuvendit dhe Kuvendit t’ia paraqes për shqyrtim dhe miratim gjatë sesionit pranveror këto dy drafte. Ndërkohë, kryetari i Nën Komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore, Armend Zemaj tha se ata janë të gatshëm që ta përfillim iniciativën ligjore çfarëdo qoftë ajo, qoftë për rregulloren, qoftë për ligjin për Kuvendin.