Inkluzioni në arsim nuk dha rezultate – Koalicioni “Ndryshojmë” kërkon kthimin e modelit të vjetër

TË FUNDIT

“Inkluzioni nuk dha fryte por bëri kaos. Ja për shembull ora e sportit dhe kemi basketboll dhe kemi 30 fëmijë dhe unë jam fëmijë i verbër apo, e më tregoni si do të luaj unë tani basketboll. Nuk mund të luaj, duhet të ia ruaj çantat shokëve”, tha Suaret Alishan – koalicioni “Ndryshojmë”.

Kështu vlerëson Suaret Alishan nga koalicioni “Ndryshojmë, i cili thotë se inkluzioni nuk ka dhënë rezultate të mira dhe se ka shkuar në dëm të nxënësve me nevoja të veçanta, duke përfunduar se këta fëmijë nuk mund të jenë funksional në arsimin e rregullt. Këtë e tha pasi doli nga takimi që realizoi me Ministren e re të Arsimit Vesna Janevska, ku tha se janë dakorduar që prej në shtator të rikthehet sistemi i vjetër, ku fëmijët me dëmtime në shikim, dëgjim apo të folur dhe fëmijë të tjerë që kanë një lloj aftësie të kufizuar të mësojnë në shkolla të specializuara ku do të kenë ekspertë që do të punojnë me ta, si dhe me prindërit e tyre.

“Ne folëm edhe për KNF – Klasifikimin Ndërkombëtar të Funksionimit, se e njëjta nuk është si duhet, nuk është me metodologjinë punë dhe vlerësim me fëmijë por është punë me prindin që është në kundërshtim me konventën e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Vlerësojmë se nga takimi i sotëm mund të kemi ndryshime dhe nga ky vit të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara që duan, mund të regjistrohen në shkollat ku ata përkasin, qofshin shkolla për fëmijë me shikim të dëmtuar ose shkolla për shurdhmemec”, tha Alishan.

Koalicioni “Ndryshojmë” propozon që nxënësve me aftësi të kufizuara t’u kthehen banesat arsimore, sepse, siç thonë,  konviktet u ndihmojnë fëmijëve të mësojnë nga njëri-tjetri, të konkurrojnë, të përmirësohen dhe të jenë individë më të suksesshëm.