Iniciativa për kërkim përgjegjësie nga Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili ka përdorur makinën zyrtare për tubime partiake, ka stagnuar. Komisioni shtetëror për antikorrupsion ende nuk e ka dorëzuar kërkesën në Qeveri, pasi që siç thonë po presin të formohet Qeveria e re.
“Ende… ende nuk ka përgjigje nga Qeveria, sepse nuk ekziston, nuk është përzgjedhur. Ai tha se e ka bërë gabimin pa vetëdije sidoqoftë ajo është makinë që në momentin e fundit i është ndarë nga një institucioni tjetër dhe duke e shfrytëzuar për nevoja zyrtare, ka patur edhe takim në Qendrën Klinike në Shtipi, megjithatë pa dashje”, u shpreh Katica Nikollovska nga KSHPK.
Katica Nikollovska nga Antikorrupsioni thotë se megjithëse Filipçe ka kërkuar falje dhe pa vëmendje e ka bërë gabimin. Si institucion do të kërkojnë përgjegjësi nga Qeveria e re, e cila është në pritje të formimit.
“E ka pranuar gabimin megjithatë iniciativa ngelet, do të kërkojmë përgjegjësi nga Qeveria, që në momentin e parë kur të formohet Qeveria do ta përkujtojmë në obligimin e saj që të veprojë në këtë iniciativë dhe do të presim përgjigje”, u shpreh Katica Nikollovska nga KSHPK.
Ndryshe me 7 korrik KSHPK e kishte pranuar ankesën e VMRO-DPMNE-së për ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçe, për shkak se me veturë zyrtare të Ministrisë së shëndetësisë së pari ka qenë zyrtarisht në Shtip e më pas pasdite ka marrë pjesë në fushatën partiake të LSDM.
