Të dhënat nga monitori i Inflacionit, i përgatitur nga Instituti Parlamentar në Kuvend, u kanë treguar deputetëve se në mars çmimet e ushqimeve janë rritur – konfirmuan në emisionin “Biznes 21” deputetja Jovanka Trençevska nga LSDM dhe deputeti i VMRO-DPMNE-së Igor Zdravkovski. Por Trençevska mendon se Qeveria nuk ka ndërmarrë asgjë dhe kërkon masa urgjente për mbrojtjen e standardit të qytetarëve. Ndërsa Zdravkovski thotë se është normale në kushte krize të kemi inflacion 5 deri 8%. Ai thotë se Qeveria po ndërmerr hapa dhe nuk duhet të nxitohet me masat.
“Çmimet e produkteve bazë ushqimore në mars vërtet janë rritur. Për shembull te mishi inflacioni është 12,8 për qind, te buka dhe drithërat 3,7 për qind, te frutat 12,8 për qind, te qumështi, djathi, vezët 8,1 për qind, te vajrat dhe yndyrnat 6,9 për qind, te pijet joalkoolike 14,6 për qind, te sheqeri dhe produktet konditorike 10,2 për qind”, deklaroi Jovanka Trençevska – deputete e LSDM-së.
“4,9 për qind inflacion është diçka normale që ndodh në këto kushte krize, në një situatë me rrjedhje gjeopolitike të paqëndrueshme. Edhe vetë Organizata Botërore për Ushqim dhe Bujqësi thotë se në kushte krize është normale të kemi 5 deri në 8 për qind inflacion. Dhe mendoj se jemi brenda këtyre kufijve, por dallimi është se Qeveria po ndërmerr këto hapa, siç e përmendët më herët me uljen e TVSH-së dhe akcizës për karburantet me qëllim që të mbrohet ajo spirale inflacioniste”, u shpreh Igor Zdravkovski – deputet i VMRO-DPMNE-së.
Trençevska njoftoi se si grup parlamentar po përgatisin ligje të reja, me masa të reja, të cilat do t’i dorëzojnë në Kuvend, pasi të parat nuk morën mbështetje.
Debat i ashpër pati edhe për kërkesën e sindikatës për rritje të pagës minimale në 600 euro dhe të gjitha pagave të tjera për 100 euro.
“Pagat duhet të rriten vetë, duhet t’i lëmë të rriten vetë, sepse kemi ulje të ofertës në tregun e punës. Punëdhënësit të përcaktojnë pagën e tyre minimale, sepse njerëzit tashmë kanë zgjedhje”, shtoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Igor Zdravkovski.
“Duhet të rriten pagat e punëtorëve. Duhet të rritet paga minimale, duhet të rriten edhe pagat e tjera. Sepse me këto paga është vërtet e papërshtatshme, e padenjë për një familje të kalojë muajin”, potencoi deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençevska.
Në pyetjen pse nuk i ulën pagat e funksionarëve, Trençevska thotë se duhet të rriten pagat e punëtorëve, ndërsa Zdravkovski u përgjigj se në krahasim me rritjen e pagave në sektorët e tjerë, pagat funksionare janë rritur më së paku.
