Infermieret po ikin nga Maqedonia e Veriut, arsyeja kryesore është rroga e vogël

TË FUNDIT

Në vendin tonë ka 50% më pak infermiere se sa duhet, e për këtë arsye ato që  punojnë ngarkohen me punë shtesë. Nga ana tjetër ky numër vazhdon të zvogëlohet ngaqë, vetëm në vitin e fundit nga Maqedonia e veriut janë larguar 170 infermiere, ndërsa 200 kanë kaluar në shëndetësi private. Këto të dhëna i shpalosi Lidhja e infermiereve, prej ku theksojnë se përveç pagave të ulëta që është arsyeja kryesore, edhe kushtet në të cilat punojnë ato, janë të mjerueshme.

“Rreth 170 infermiere përafërsisht për këtë periudhë kanë ikur jashtë vendit, ndërsa rreth 200 infermiere kanë ikur në mjekësinë private, rreth 80 shkuan në pension dhe këto pra janë shifra alarmante për një vit. Ne startuam me 50% deficit, marrë parasysh se jemi rreth 8 mijë, ndërsa sipas regjistrimit të fundit kemi rreth 2 milionë banorë, e duhet që në 100 mijë banorë të jemi 800, pra jemi 8 mijë vetëm për një milion, pra ne jemi 50% më pak që në start”, theksoi Gordana Beshliovska – Lidhja e Infermiereve.

Përveç kësaj, nga Lidhja e infermiereve kërkojnë që të ketë edhe drejtim për motër stomatologjike në shkolla të mesme medicinale, ngaqë siç thonë, kjo ua pamundëson funksionimin normal.

“Dorëzuam kërkesë në Ministri të Shëndetësisë dhe sektorin e Qytetit të Shkupit që të mund të kthehet profili ynë në arsimin e mesëm dhe të mund të balancohet ky deficit kaq i lartë i numrit të motrave stomatologjike, që daton me vite”, tha Hamide Latifi, Lidhja e Infermierëve.

Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti disa ditë më parë i pyetur për largimin e mjekëve dhe infermiereve, akuzon ministrat paraprakë që nuk kanë ndërmarr ndonjë hap konkret. Ai që kur erdhi në funksion paralajmëroi një strategji, me të cilën do të rregullonte statusin e personelit shëndetësor.

“Ne po bëjmë strategji që çdo mjek, student, farmaceut dhe stomatolog kur të arrijë në vit të gjashtë, që të dihet nesër kur të përfundon, mos të sorollatet me vite rrugëve dhe në fund të dëshpërohet dhe të ik nga vendi, ajo që e quajmë migrim të mjekëve, ne të gjitha përpjekjet  po i bëjmë  për të parë cila është strategjia më e mirë, na duhet edhe pak kohë, nuk e di pse nuk është bërë më parë kjo, nga menaxherët paraprak”, deklaroi Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Nga Lidhja e infermiereve ngrenë shqetësimin e migrimit të infermiereve, duke treguar shtesë se vetëm nga një institucion shëndetësor janë larguar 70 infermiere. Ndërkaq të pyetur se çfarë po bën Ministria e Shëndetësisë në këtë drejtim, thonë se shumë ministra u kanë premtuar zgjidhje, por nuk kanë arritur t’i përmbushin ngaqë janë larguar shpejtë nga funksioni.