Infektologjia pa ngrohje, pacientët po “ngrijnë”! Drejtoresha thotë se i kanë mbajtur ngrohtë me batanije

TË FUNDIT

Pacientët me Covid-19 të shtrirë në Infektologjinë e Shkupit nuk kanë ngrohje qendrore. Familjarja e një  pacienti të shtrirë në këtë klinikë tregon për TV21 se babai i saj 70 vjeçar, i cili është pozitiv me koronavirus dhe me pneumoni është ankuar se e ka shumë ftohtë në dhomë.  Ajo tha se atyre nuk u lejohet të marrin as ngrohje alternative.

“Më thirri dhe më tha, jam ngrirë. Ata janë njerëz që tërë ditën rrinë shtrirë, llogaritni sikur në podrum të rrini tërë ditës shtrirë, edhe të shëndoshë të jeni do të sëmureni. Nuk ka ngrohje, nuk ka qenë fare e lëshuar dhe kjo vërehet ngaqë mjekët janë me bluza të trasha. Pyetëm pastaj, ka klima përse nuk i lëshoni, na thanë se u janë mbledhur komandat për të kursyer rrymë dhe pyetëm pastaj a guxojmë të sjellim nxehje alternative dhe na thanë se këtë mund ta bëni nëse na aprovon drejtoresha e spitalit”, tha një familjare e pacientit  në lidhje telefonike.

Sipas informacioneve të TV21 ngrohja qendrore në spitalin infektiv nuk është lëshuar fare që kur ka nisur sezoni i ngrohjes. Kontaktuam me drejtoreshën e kësaj klinike, Milena Stevanoviq. Ajo e pranoi se ka telashe me ngrohjen, por sipas saj ky problem është i zakonshëm.

“Ka pasur probleme, kjo ndodh shpesh në fillim të sezonit të ngrohjes, por po rregullohet dhe pasdite do të ketë gjithçka që duhet në klinikë. A është e vërtetë që tashmë nja javë nuk ka ngrohje? E kemi lëshuar, por pastaj e kemi ndalur sepse kishte defekt, sot po e rregullojmë”, deklaroi Milena Stevanoviq – drejtoreshë e Klinikës Infektive.

E pyetëm se përse nuk përdorën ngrohje alternative, e drejtoresha Stevanoviq na tha se pacientët i kanë mbajtur ngrohtë me më shumë batanije.

“Nuk kishte nevoje për ngrohje alternative, por u vendosëm më shumë batanije. Tani kemi pak pacientë, rreth 26”, pohoi Milena Stevanoviq – drejtoreshë e Klinikës Infektive.

Pyetëm edhe në Ministri të Shëndetësisë se si ka mundësi që pacientët me gjendje të rëndë shëndetësore të infektuar me Covid-19 të lihen në të ftohtë, por nga atje deri tani nuk kemi marrë përgjigje.