Një ngjarje e pazakontë ka përfshirë aviacionin civil zviceran, ku brenda më pak se 24 orëve i njëjti avion pasagjerësh është goditur dy herë nga rrufeja gjatë fluturimeve të ndryshme.
Bëhet fjalë për një avion të kompanisë Helvetic Airways, që operonte në emër të Swiss. Incidenti i parë ndodhi të enjten mbrëma, kur avioni Embraer E195AR (HB-JVW) u godit nga rrufeja pak pas nisjes nga Zürichu drejt Krakovës, duke u detyruar të kthehej menjëherë për kontroll teknik.
Pasi u inspektua dhe u lejua të fluturonte sërish, i njëjti avion u godit përsëri nga rrufeja të premten mbrëma, këtë herë gjatë një fluturimi drejt Kopenhagës, rreth nëntë minuta pas ngritjes. Avioni u kthye në Zürich me 82 pasagjerë në bord.

Vetëm pak minuta më vonë, një tjetër avion i së njëjtës kompani u godit nga rrufeja gjatë një fluturimi drejt Berlinit, duke u detyruar gjithashtu të kthehej në bazë.
Sipas autoriteteve dhe ekspertëve të aviacionit, goditjet nga rrufeja në avionë ndodhin herë pas here gjatë stuhive, por tre incidente brenda një periudhe kaq të shkurtër janë jashtëzakonisht të rralla. Pasagjerët nuk janë në rrezik, pasi avionët janë të ndërtuar që ta përballojnë shkarkimin elektrik, por çdo incident kërkon kontroll teknik të detajuar para rifillimit të fluturimeve.
