Krusheva sot feston. Mund të thuhet se është epiqendra e ngjarjeve në vend. Këtu të pranishëm janë shumë qytetarë. Kanë ardhur për ta shënuar 2 gushin, Ditën e Republikës. Sivjet, kjo ditë e madhe shënohet nën sloganin “Ilindeni, fuqia jonë për të ardhmen”. 2 gushti është dita kur para 119 viteve filloi Kryengritja e Ilindenit dhe është shpallur Republika e Krushevës. Ndryshe, Maqedonia shënon edhe një Ilinden tjetër, 78-vjet nga mbajtja e mbledhjes së parë të KAÇKM-së, kur janë vendosur themelet e shtetit të Maqedonisë. Këtu në Krushevë, ceremonia dhe kremtimi filluan herët në mëngjes. Erdhën shumë delegacione, mes të cilave edhe delegacioni i udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski. Këtu te monumenti “Mekedonium”, bënë nderime dhe vendosën kurora lulesh të freskëta në varrin e Presidentit të Republikës së Krushevës, Nikolla Karev. U bënë homazhe dhe u vendosën lule të freskëta edhe te përmendorja e ilindenasve të mirënjohur që luftuan për ta ruajtur Republikën e Krushevës. Përmendorja ndodhet në “Meçkin Kamen”, dhe pikërisht aty u mbajt edhe manifestimi dhe ceremonia qendrore ku fjalim mbajti kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ai së pari uroi festën e madhe, ditën e madhe, Kryengritjen e Ilindenit dhe porositi se ideja e ilindenasve të Krushevës, por edhe pjesëtarëve të KAÇKM-së për një Maqedoni më të mirë dhe të përparuar, do të ruhet. Ilindeni është fuqia jonë, Ilindeni është kodi ynë, tha Kovaçevski dhe bëri thirrje për bashkim.
“S’ka patriotizëm më të madh se sjellja e vendimeve shtetformuese. Ilindenasit me armë në dorë kanë luftuar që ne sot të mund të bëjmë beteje të tjera, beteje për zhvillim dhe prosperitet të të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë. Sot, shikimi ynë është kthyer drejt ardhmërisë, njësoj si shikimi i ilindenasve në vitin 1903, 1944 dhe 1991. Tani është koha për bashkim, për unitet, për besim për një të nesërme më të mirë. Por, mbi të gjitha për punë të përkushtuar, për të zhvilluar një shtet të fuqishëm, të suksesshëm dhe të avancuar evropian. Ashtu siç arritëm të bëhemi bashkë pavarësisht përkatësisë sonë etnike, obligimi ynë i përbashkët është të bashkohemi edhe pavarësisht përcaktimeve politike. Ashtu si ilindenasit dhe pjesëtarët e KAÇKM-së, edhe ne t’i vendosim prioritetet shtetërore para vetvetes. Ato prioritete edhe në kohën e Ilindenit, edhe në kohën e KAÇKM-së, edhe sot janë përparimi i vendit.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Ndryshe, sa i takon atmosferës që mbizotëronte në “Meçkin Kamen” me ardhjen e delegacionit qeveritar, nuk mund të thuhet se kishte incidente, por vetëm reagime të ndryshme. Disa nga të pranishmit fishkëllenin, i binin surles, brohoritnin “Kurrë e Veriut, vetëm Maqedoni”. Por, ky ishte vetëm një grup i vogël, pasi shumica e të pranishmëve e mirëpritën delegacionin qeveritar. Në “Meçkin Kamen” erdhi edhe delegacioni i VMRO-DPMNE-së i kryesuar nga nënkryetari Aleksandar Nikolloski. Pasi vendosën kurora lulesh të freskëta, Nikolloski dha deklaratë, duke kritikuar se manifestimi është partiak, se shumë nga të pranishmit janë simpatizues partiakë dhe se për këtë arsye do ta largohen dhe nuk do ta ndjekin fjalimin e kryeministrit Kovaçevski.
“Për shkak të sjelljes së këtillë partiake dhe politike, ne në këtë moment po largohemi nga “Meçkin Kamen” dhe nuk do të marrim pjesë në fjalimin e kryetarit të Qeverisë, sepse është evidente se ky është një manifestim partiak i LSDM-së. Nuk e kemi ndërmend të marrim pjesë në mitingje të LSDM-së, ju faleminderit.
G: Për çfarë arsyesh? Ja, më motivuat që të parashtroj një pyetje. Cilat janë arsyet? A u është thënë arsyeja qytetarëve?
A.N: Nuk ishin në listën e protokollit. Unë personalisht tentova të ndërhyj te disa, e thirra edhe protokollin qeveritar, por nuk ishin në listën e protokollit. Me sa duket vetëm anëtarët e LSDM-së figurojnë në listën e protokollit.
G: Për sa persona bëhet fjalë?
A.N: Për mijëra”.
SVETLLANA UNKOVSKA, REPORTERE TV21
-Këto ishin mesazhet nga Krusheva e Ilindenit, me rastin e shënimit të kësaj dite të madhe të Kryengritjes së Ilindenit, me çka u shënuan 119 vjet nga Kryengritja e Ilindenit dhe shpallja e Republikës së Krushevës.
