Vijon fundjavë e zgjatur dhe tri ditë jopune për shkak të festës së Ilindenit, kurse katër ditë të lira do të kenë besimtarët myslimanë për ta festuar Kurban Bajramin. Por, tani për tani nuk ka paralajmërim për karantinë, edhe pse numri i të infektuarve me koronavirus është në rritje. Pandemia nuk do ta pengojë kremtimin e Ilindenit në Krushevë. Organizatorët thonë se tradita e deritanishme do të vazhdojë, por me program të shkurtuar dhe me respektim të masave.
“Sivjet e festojmë Ilindenin për 117 vjet radhazi pas Kryengritjes së Ilindenit. Ilindenin do ta shënojmë si çdo vit tjetër në mënyrë dinjitoze, ashtu siç i ngjan një qyteti dhe shteti, sepse e dimë çfarë domethënie ka Ilindeni dhe Kryengritja e Ilindenit. Është sjell vendim nga ana e Qeverisë se kush do të marrë pjesë në Krushevë dhe tashmë po punohet në përgatitjet për manifestimin”, tha Tome Hristoski, kryetar i Krushevës.
Komisioni për Sëmundje Ngjitëse ka dhënë miratim për organizim të festës, por thonë se e gjithë ngjarja do të zhvillohet sipas protokolleve të veçanta që do të përcaktohen.
“Komisioni dha leje që të mbahet festa e Ilindenit, por nuk do të jetë si në vitet paraprake. Nuk do të ketë festë masive, por organizatorët i kanë marrë protokollet se si duhet ta organizojnë ngjarjen. Numri i pjesëmarrësve do të jetë shumë më i vogël, kurse masat e tjera janë ato të cilat i rekomandojmë vazhdimisht”, u shpreh Aleksandar Stojanov, epidemiolog.
Epidemiologu Stojanov për “Faktor”, thotë se mbajtja e maskave dhe respektimi i distancës sociale janë faktorë jashtëzakonisht të rëndësishëm, edhe pse festa do të mbahet në ambient të hapur në Meçkin Kamen.
“Për gjithçka kemi dhënë protokoll, është me rëndësi të respektohet, sepse vetëm kështu nuk do të kemi problemi dhe nuk do të kemi rritje të numrit të të infektuarve të rinj me koronavirus”, deklaroi epidemiologu Aleksandar Stojanov.
Këtë vit kremtohet 117-vjetori i Kryengritjes së Ilindenit. Delegacionin qeveritar në Shkup do ta udhëheqë kryetari i Qeverisë, festën në Krushevë do ta udhëheqë kryetari i Kuvendit, kurse festën në Pelincë – Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.
