I pari i BFI-së dënon aktin barbar në Vjеnë! Terrorizmi s’ka të bëjë as me islamin as me shqiptarizmin

TË FUNDIT

Vazhdojnë debatet, komentet dhe analizat pas sulmit në Vjenë. Maqedonia e Veriut është në fokus veçanërisht pasi disa prej sulmuesve janë shtetas të vendit tonë. E nga ana tjetër edhe një viktimë kishte prejardhje nga Veleshta e Strugës, Nexhipi 21 vjeçar.

Kjo temë u diskutua edhe në emsionin Click Plus në TV21 ku i ftuar ishte ushtruesi i detyrës kryetar i Bashkësisë Fetare Islame Shaqir Fetahu.

“Akti terrorist nuk ka të bëj as me islamin, as me shqiptarizmin”, deklaroi Shaqir Fetahu – u.d Kryetar i BFI-së.

Ai shtoi se shqiptarët janë të njohur për tolerancën ndërfetare, por dikush dëshiron ta shkatërrojë këtë vlerë.

 “Dua të them se këto raste makabre janë raste individuale që nuk kanë të bëjnë as me traditën kombëtare e as me parimet tona, as me parimet tona fetaro-islame”, u shpreh i pari i BFI-së, Shaqir Fetahu.

Profesori i sigurisë, Bashkim Selmani theksoi se shërbimet sekrete godasin fëmijët nëpërmjet fesë pasi që ata janë kategori më e ndjeshme.

 “Nuk është e rastit kjo është mirë e organizuar, qoftë armët automatike, këto kanë qenë prodhim serb. Që në të ardhmen ne do t‘i shohim. Kjo është një bindje. Ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi si komb, tërrosisti vrau pikërisht një nga komuniteti shqiptar, ky është një element tjetër që në të ardhmen do ta shohim se ka involvime”, theksoi Bashkim Selmani – profesor i sigurisë.

Ndërsa gazetari Arben Ratkoceri tha se në Ballkan ekzistojnë grupe të cilat i radikalizojnë dhe i  indoktrinojnë të rinjtë.

 “Nëse e merr një të dhënë shqiptarët për kokë banori nga Ballkani kanë prodhuar më së shumti ushtarë për ISIS-in”, potencoi gazetari Arben Ratkoceri.

Ushtruesi i detyrës në krye të BFI-së Shaqir Fetahu ngjarjet e fundit që ndodhen në Vjenë i quajti akte barbare dhe terroriste që ndër të tjera janë në dëm të fesë dhe kombit. Sipas tij, qeveria austriake ka nën kontroll xhamitë që drejtohen nga shqiptarët atje.