I morën pagat, ka autobusë në Shkup! Nëse problemi përsëritet, Sindikata paralajmëron se do të veprojnë njëjtë

TË FUNDIT

Autobusët e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik që në mëngjes u panë duke lëvizur nëpër rrugët e Shkupit.

Ndonëse dje u paralajmërua se nuk do të punonin, për shkak se nuk i kishin marrë rrogat e janarit, ky vendim u anulua pasi pagat i morën.

“Edhe pse u paralajmërua që sot nuk do të qarkullojnë autobusët e Ndërmarrjes Qarkulluese Publike, po shihet se funksionojnë në mënyrë normale si ditëve tjera”, raporton Fazile Halili, gazetare TV21.

Kryetari i sindikatës të NQP-së Miqo Stojanovski për TV21 konfirmoi se pagat e janarit do t’i marrin sot dhe nuk do të ketë probleme me transportin publik. Por ka një paralajmërim nëse problemi përsëritet.

“Pagat e janarit sot do t’i marrin punonjësit e NQP-së dhe nuk do të ketë probleme të tilla, por nëse ndodh përsëri, në të njëjtën mënyrë do të veprojmë edhe pse nuk besoj që do të ndodhë”, theksoi Miqo Stojanovski, kryetar i Sindikatës së NQP.

Përndryshe edhe muajin e kaluar qytetarët u përballën me mungesën e autobusëve, për shkak se punonjësit e NQP-së nuk e kishin marrë pagën e dhjetorit, andaj në shenjë revolte autobusët për disa orë mbetën në garazhe, duke shkaktuar shumë probleme me qarkullimin publik në kryeqytet.