I kujt është Car Samoili? Petkov: Spiunë rusë kanë punuar kundër Shkupit e Sofjes

TË FUNDIT

Dy të punësuar në Agjencinë Shtetërore për Siguri Kombëtare të Bullgarisë kanë punuar që Maqedonia të mos ketë ardhmëri evropiane, pohoi kryeministri bullgar Kiril Petkov në një intervistë për BTV, duke u shprehur i kënaqur që agjencia është marrë me këtë problem dhe që këta persona nuk do të punojnë më mbi këtë çështje.

“Personat që ishin përfshirë në këtë skandal… bëhet fjalë për interesa ruse që kanë punuar në një drejtim specifik, e ai është që Ballkani Perëndimor të mos ketë ardhmëri evropiane dhe marrëdhëniet mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të mos jenë aq miqësore, siç duan t’i kenë fqinjët e mirë. Nga ky këndvështrim, për mua është shumë me rëndësi të dihet se publikisht kemi intervenim rus në Bullgari për Ballkanin Perëndimor dhe Maqedoninë e Veriut“, tha Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Mbrëmjen e njëjtë, edhe kryeministri i Maqedonisë në intervistë për “360 gradë” i konfirmoi këto informacione:

“Ka individë, ka edhe grupe të cilat unë do t’i quaja të margjinalizuara, bile ka edhe parti politike në vend që financohen nga vende të treta të cilat nuk duan ta shohin Maqedoninë në BE dhe të cilat punojnë kundër një marrëveshjeje të mundshme mes Bullgarisë dhe RMV-së“, theksoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.

Komisioni për Çështje Historike i Maqedonisë dhe Bullgarisë, mbajti takim dyditorë në Shkup. Anëtarët e palës bullgare dje thanë se është arritur marrëveshje për Car Samoilin, por mbetet e paqartë nëse pala maqedonase tërësisht e ka pranuar tezën bullgar për figurën e Samoilit.

“Çka më saktësisht është pranuar dhe cila është marrëveshja për Car Samoilin? A është kjo arsyeja për gëzimin e Sofjes dhe heshtjen e Maqedonisë? Kovaçevski dhe Osmani negociojnë pa e informuar opozitën, Kuvendin dhe opinionin. Qeveria, prapa dyerve të mbyllura zhvillon negociata të cilat mund ta prekin identitetin maqedonas, gjuhën dhe historinë”, theksoi Dragan Kovaçki,VMRO-DPMNE.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev pas shpalljes së rezultateve të Regjistrimit në Maqedoni, tha se vetoja do të vazhdojë derisa nuk merret garanci e qartë për të drejtat e bullgarëve në vendin tonë dhe për përfshirjen e tyre në Kushtetutë. Kryeministri Kovaçevski, pohon se kjo do të ndodhë.

“Gjuha dhe identiteti i popullit maqedonas, nga çdo aspekt, as nuk është i negociueshëm, dhe as nuk do të jetë objekt i negociatave. Qytetarët në atë pjesë mund të jenë të qetë. Sa i përket Kushtetutës, Kushtetuta jonë lejon, gjegjësisht rregullimi kushtetues që të drejtat individuale të vetëvendosjes të ushtrohen në mënyrë kolektive. Përveç kësaj, çdo vend që aspiron të anëtarësohet në BE, në rrugën për t’u anëtarësuar në BE, hap Kushtetutën e tij për ta përshtatur me legjislacionin e BE-së, sepse disa kompetenca u dorëzohen institucioneve të BE-së”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut .

Komisioni për Çështje Historike ka ngecur në pjesën e prezantimit të Car Samoilit në tekstet shkollore. Pala maqedonase ka propozuar që në librat të ketë dy këndvështrime: se Samoili është pasardhës i Perandorisë mesjetare bullgare dhe se ka teza se është një Perandori e pavarur. Por, bullgarët këmbëngulin që të figurojë vetëm propozimi i parë. Pikëpamja e historiografisë maqedonase është se Samoili ka krijuar një shtet të ri me “bërthamë” në Maqedoni.