“A po e thoni publikisht se ka milionerë në BDI? A ma thoni publikisht, po ju pyes. A ka milionerë në BDI?
Ka mor, si nuk ka. Ka shumë. Sa i bjen shumë? 10? 5? 20? Nja 80% po.”, kështu deklaroi Fatmir Limani, dikur funksionar i BDI-së, tani i aderuar në Lëvizjen Besa.
Qëllimi kryesor pse BDI me çdo kusht do të rrijë në pushtet janë përfitimet personale prej të cilave janë bërë milionerë. Kështu deklaroi mbrëmë në emisionin Click Plus, Fatmir Limani nga Lëvizja Besa duke ngritur akuza për pasurinë e funksionarëve të BDI-së. Sipas tij, madje edhe shoferët e tyre janë bërë milionerë.
“Nga e gjithë kjo pasuri. Nga gjithë këto para. Ne e dimë deri dje kush kemi qenë. Ne e dimë në çfarë kushtesh kemi jetuar dhe për një periudhë 20 vjeçare me rroga 1000 euro, 700 euro u bëmë me kala milionëshe? Nga? A ke dëgjuar ndonjë shofer të ketë shtëpi 1 milionëshe? Logjikisht a mund të ketë? Në rast se shtëpia kushton 500-600 mijë euro, atëherë duhet të jetë milionerë ai. Si mund të bëjë dikush shtëpi 600 mijë euro tu qenë fukara”, tha më tej Limani.
Për të thënat e tij Limani premtoi se do t’i dokumentojë të gjitha me video.
Ndërkaq, nga ana tjetër akuzoi BDI-në se ka harruar gjenezën dhe BDI-ja e tanishme nuk ka të bëjë fare me bindjet dhe qëllimet e strukturës fillestare. Dhe për pasojë, sipas tij mbi 200 ushtarë kanë kaluar në Lëvizjen Besa.
“Unë kam patur edhe takim me ushtarët, menjëherë pasi kam dalë dhe jam pozicionuar te Lëvizja Besa. Ishte një iniciativë që të takohem me 50 ushtarë. A e di sa pjesëmarrës kishte? Mbi 220 ushtarë. Unë kam menduar se s’do të ketë as 50? Shtrohet pyetja pse 220, 230 ushtarë? Kush që arsyeja që edhe ato bëhen bashkë me Lëvizjes Besa”, shton Limani.
Limani gjithashtu theksoi se u degraduan figurat kryesore të UÇK-së që ishin pjesë e strukturës fillestare të BDI-së që më nuk janë siç është Sadulla Duraku, Hazbi Lika, Fazli Veliu e Musa Xhaferi.
