I AKUZUARI ZEKAJ: NUK JU NJOHIM SI SHTET, TENSIONE NË SEANCËN PËR LAGJEN E TRIMAVE

TË FUNDIT

“Ne nuk ju njohim si shtet. Kjo është Shqipëri dhe do të jetë Shqipëri”, tha Valdet Zekaj.

“Sot kam nderin që të flas në emër të të gjithëve, të cilët unanimisht…Nuk ulem, do të dëgjoni….I ftoj bashkëluftëtarët që të ngriten në këmbë dhe të mbajnë një minutë heshtje për ata që ranë, për të mos vdekur kurrë në betejën në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Ju luten çohuni, e pastaj gjykata le ta vazhdojë punën e vet….Lavdi”, u shpreh Genci Sefaj.

Në situatë të tensionuar dhe me një minutë heshtje filloi seanca gjyqësore për rastin Lagja e Trimave në Gjykatën e Apelit në Shkup. Në seancën e sotme gjykata duhej t’i shqyrtojë ankesën e vendim të shkallës së parë për 33 të dënuarve të grupit të Kumanovës .

Të akuzuarit Genc Sefaj dhe Valdet Zekaj ishin më të zëshmit. Situata filloi të tensionohej kur i akuzuari Genc Sefaj kërkoi që të lexojnë një deklaratë të përbashkët me kërkesat e të gjithë të dënuarve. Ndërsa gjykatësja nuk e lejoi duke i thënë se gjithçka duhet të shkojë sipas rendit të gjykatës. Të dënuarit u zgjuan në këmbë dhe filluan  edhe me sharje ndaj gjykatëses dhe përkthyeses, duke i thënë që nuk ka nevojë për përkthyes.

“Uluni tu tregoj të drejtën tuaj për gjuhën amtare”, potencoi gjykatësja, Cvetanka Ivanovska

“A keni ju përkthyes. Unë do të jap deklaratën në emër të gjithë grupit. Kemi marrëveshje. Zonja gjykatëse ne kemi katër vjet që kemi duruar këtu”, tha Genci Sefaj.

Genci Sefaj dhe Valdet Zekaj i përkrahën edhe anëtarët tjerë të Grupit dhe të gjithë bojkotuan seancën. Në deklaratën e tyre ata kërkojnë  hetim ndërkombëtarë sepse siç thonë ata nuk i besojnë kësaj gjykate, incizimin e aksionit policor, Zoran Zaev të publikoj inskeminin e rastit  sepse ky ka qenë  kurth i qeverisë VMRO-BDI.

Familjar i Ragmi Latifit, Fejzulla Latifi  tha se grupi i Kumanovës po mbahet pa faj në burg.

“Edhe i burgosuri ka të drejtë të lexojë një letër dhe me dëgju gjyakata, por nuk i morrën fjalët dhe situata doli prej kontrolle. Nëse vazhdon kjo qeveri e re me avazin e atyre të vjetërve, le ta presin humbjen shumë shpejt, ne presim sa më shpejt të lirohen djemt se i kemi të pafajshëm sa nuk është bë vonë. Ju bëjmë apelt qeverisë le ti hapin sytë, djemt t’i lirojnë. Mjaftë ishte. Kjo është e tepërt” , deklaroi Fejzullah Latifi, familjar i të akuzuarit Ragmi Latifi.

Në rastin Lagja e Trimave për veprën “terrorizëm”, me dënim të përjetshëm janë të akuzuar 7 anëtarë të grupit, 13 me nga 40 vjet burg, 6 nga 20 vjet burg, një me 18 vjet, dy me 14 vjet dhe dy të tjerë me nga 13 vjet dhe dy me nga 12 vjet burg. Katër prej të akuzuarve janë të lirë. Shumica prej tyre janë shtetas të Kosovës.

Përgatiti: Valmira Zendeli