Me emocione të thella dhe duke pohuar se do të flasë “qetë, por të vërtetën”, para trupit gjykues u shpreh i akuzuari Nikollço Gocev, inspektor ndërtimor në Komunën e Koçanit, përcjell TV21. Ai u prezantua jo si një “kriminel”, por si një njeri që atë natë kishte punuar deri vonë, dhe më pas u bë “viktimë e një dobësie sistemike”.
Në mbrojtjen e tij, Gocev, i cili është pacient onkologjik, deklaroi se ligjërisht ka duart e lidhura.
“Inspektori ndërtimor nuk kontrollon ambientet e brendshme, as masat kundër zjarrit. Ligji për mbikëqyrjen inspektuese nuk lejon të hyhet në objekt pa urdhër të shkruar ose kallëzim. Një inspektor që hyn pa urdhër, do të përgjigjet penalisht,” u mbrojt Gocev.
Ai shtoi se diskoteka kishte filluar të funksiononte 7 vjet para se ai të punësohej dhe pyeti Prokurorinë, e cila kishte deklaruar se pas tragjedisë ishin kryer kontrolle në diskoteka të tjera.
“Nëse qindra objekte nuk i përmbushin kushtet, a do të thotë se qindra kryetarë komunash dhe inspektorë duhet të akuzohen?”
Gocev zbuloi gjithashtu se kishte ngritur kallëzim penal për një tjetër objekt me rrezik serioz në Koçan, por që i njëjti kallëzim ishte refuzuar nga të njëjtat institucione që tani po e ndjekin atë penalisht.
