Konkursi i Këngës në Eurovision pritet të hyjë në një fazë vendimtare këtë të enjte (4 dhjetor), teksa organizatorët dhe vendet pjesëmarrëse mblidhen në Gjenevë për një takim të cilësuar “pikëthyes”. Në qendër të diskutimeve është e ardhmja e pjesëmarrjes së Izraelit, mes protestave të shumta për mënyrën si qeveria izraelite ka zhvilluar luftën në Gaza dhe akuzave për praktika të padrejta votimi gjatë garës së këtij viti.
Një sërë vendesh, përfshirë Irlandën, Spanjën, Holandën dhe Slloveninë, kanë paralajmëruar bojkot nëse Izraeli lejohet të marrë pjesë. Në anën tjetër, Gjermania ka sinjalizuar se mund të tërhiqet nga gara nëse Izraeli përjashtohet.
Takimi mbahet në sfondin e tensioneve të shtuara, pas përpjekjeve të protestuesve anti-Izrael për të ndërprerë eventet e viteve 2024 dhe 2025, duke kundërshtuar numrin e lartë të viktimave palestineze në Gaza. Gjatë finales së këtij viti në Bazel, dy persona tentuan të hynin me forcë në skenë dhe të hidhin bojë ndaj konkurentit izraelit Yuval Raphael, i cili përfundoi në vend të dytë pas një rezultati të fortë në votimin e publikut. Të dy protestuesit u ndaluan dhe më pas u arrestuan.
Performanca e Izraelit ngjalli reagime të ashpra nga disa vende pjesëmarrëse, të cilat akuzuan qeverinë izraelite se kishte rritur artificialisht popullaritetin e këngës përmes një fushate të gjerë reklamuese të paguar, duke nxitur votimin masiv në mbarë Evropën. Izraeli nuk i është përgjigjur direkt këtyre pretendimeve, por ka theksuar shpesh se është objekt i një “fushate ndërkombëtare shpifjesh”.
Në këtë klimë tensionesh, muajin e kaluar Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) njoftoi një paketë të re masash për të forcuar neutralitetin e konkursit dhe për të kufizuar ndikimin e qeverive në procesin e votimit. Pa e përmendur drejtpërdrejt Izraelin, EBU deklaroi se do të “dekurajojë fushatat promovuese joproporcionale”, sidomos ato të nisura ose të mbështetura nga institucione shtetërore.
Ndryshimet përfshijnë gjithashtu uljen e numrit të votave të disponueshme për fansat nga 20 në 10 vota për person dhe përmirësimin e mekanizmave për identifikimin e “aktivitetit mashtrues ose të koordinuar të votimit”.
“Shpresojmë që kjo paketë masash t’u japë garanci të gjitha vendeve anëtare se kemi ndërmarrë hapa të fortë për të mbrojtur neutralitetin dhe paanshmërinë e konkursit,” deklaroi EBU.
