Kosova nuk posedon asnjë informacion kredibil për ndonjë rrezik nga sulme të ndryshme terroriste, tha sot ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, gjatë një konference për media lidhur me sigurinë në vend.
Çështja e terrorizmit dhe pjesëmarrja në luftëra ka qenë temë diskutimi në media gjatë muajve të fundit, kurse përmes vizitave nëpër secilën komunë të vendit, Hyseni tha se ka përçuar mesazhe kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe pjesëmarrjes në luftëra.
Ai u shpreh se institucionet e sigurisë në vend po bëjnë punën e tyre për mbrojtjen e vendit dhe pronës, por kjo nuk do të thotë që Kosova do të jetë imune ndaj këtyre sulmeve, ku rreziku i kanoset çdo vendi në botë.
Sipas ministrit Hyseni, Policia e Kosovës po shënon shkallë të kënaqshme të parandalimit të ekstremizmit.
“Angazhimet e Policisë se Kosovës dhe institucioneve tjera të sigurisë kanë bërë që në Kosovë të ketë rendje të ndjeshme të krimit të përgjithshëm dhe gjithsesi këto veprime të policisë së Kosovës kanë bërë që të shënojnë një shkallë të kënaqshme të parandalimit që është akoma më me rëndesi. Intenca e MPB-së është që policisë t`i lë sa më pak punë. Pra të punojmë shumë në parandalim, të punojmë shumë në deradikalizmin e shoqërisë së Kosovës, të punojmë shumë në uljen e sensit për ekstremizëm. Kjo është shumë më e shëndetshme, shumë më pak e kushtueshme dhe gjithsesi është shumë më pak e dhimbshme”, tha Hyseni.
Sa i përket anulimit të koncertit për të shënuar Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, për shkak të ndonjë sulmi terrorist të mundshëm, ministri Hyseni u shpreh se MPB nuk ka pasur informacion për kërkesë për atë organizim publik.
“Ne nuk kemi pasur informacion dhe kërkesë për asnjë lloj organizimi publik ato ditë, as për rastin e përvjetorit të pavarësisë së SHBA-së dhe si mund të kesh informacion për anulim kur nuk ke pas informacion se do të organizohet diçka. Unë e di se edhe me të është manipuluar aq shumë në medie, por asnjë gazetar nuk i ka shkuar deri në fund ta hulumtoj ketë temë”, shtoi Hyseni.
Mësohet se në luftëra në Irak dhe Siri kanë shkuar rreth 100 kosovarë, ndërsa, sipas MPB-së, 40 prej tyre kanë përfunduar të vdekur duke luftuar.
