Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, në vazhdën e vizitave komunave të vendit, sot ka vizituar Novobërdën dhe Kamenicën.
Gjatë takimit me kryetarin e Novobërdës, Svetislav Ivanoviq, Hyseni dhe nikoqiri i tij kanë vlerësuar se gjendja e sigurisë në këtë komunë është shumë e mirë, pavarësisht se në të jetojnë komunitete të përziera, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Në takim me Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi të Novobërdës, Hyseni ka kërkuar nga përfaqësuesit e këtij këshilli që të angazhohen edhe më shumë dhe të kenë shtrirje në nivele nga më sociale, siç janë familja, shkolla, në institucione fetare, në mënyrë që mesazhi për parandalim të dhunës të përçohet në vendin e duhur.
“Të gjithë së bashku duhet që t’i dalim në ndihmë qytetarëve tanë që mund të jenë subjekt i manipulimit. Duhet të dalim me mesazh dhe qëndrim të qartë kundër dhunës”, ka thënë Hyseni.
Në Kamenicë, ministri i Brendshëm ka takuar kryetarin e komunës,. Begzad Sinanin dhe Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi.
Në këtë takim, kryetari i Kamenicës, Sinani ka bërë të ditur se gjendja e sigurisë është e kënaqshme dhe se ka një trend të rënies në veprave kriminale për 32 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
Me këtë rast ministri Hyseni ka theksuar se MPB dhe institucionet e sigurisë i vlerësojnë si partnere këshillat komunale për siguri në bashkësi, në mënyrë që gjithsecili të bëjë punën e tij, në përpjekjet e përbashkëta për tolerancë dhe për paqe, në mënyrë që qytetarët Republikës së Kosovës të ruajnë pasurinë e tyre të bashkëjetesës ndër fetare dhe ndër etnike.
Hyseni ka ritheksuar edhe një herë se Kosova tashmë ka bërë kërkesë që të futet në Interpol, i cili është një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes të policive që ndihmon në shkëmbimin e përvojave në luftimin e terrorizmit.
