Masat e reja nëpër vendkalimet kufitare kanë shkaktuar kolona të gjata, pritje dhe nervozizëm tek udhëtarët. Nga sot kush dëshiron të futet apo të dalë nga Maqedonia duhet të plotësojë një nga kushtet, certifikatë vaksinimi, test PCR ose Antigjen ose dëshmi se e ka kaluar virusin në 45 ditët e fundit.
“Masat vlejnë njëlloj sikurse për qytetarët e huaj ashtu edhe për shtetasit tanë. Në qoftë se nuk keni një nga këto dokumente do të futeni në karantinë 7 ditore. Të huajt izolimin duhet ta paguajnë vetë. Disa qytetarë nuk ishin të njoftuar për masat andaj u kthyen mbrapa, të tjerë u ankuan për pritje të gjata e disa vendosën që kufirin ta kalojnë më shpejtë në këmbë”, tha Muhamet Hoxha – zëdhënës i Qeverisë.
Qytetar: “Në Preshevë u nisa me shku”.
TV21: Po prej sot duhet test ose vaksina.
Qytetar: “Unë nuk kam as test as vaksina. Do kthehem mbrapa çka të bëj”.
Qytetar: “Pasi që ka një kolonë të madhe deri në pikën kufitare Tabanoc, siç shihet, në zonë neutrale, atëherë kemi një numër jashtëzakonisht të madh të veturave, prandaj jam duke udhëtuar në këmbë”.
TV21: Çfarë të kërkuan në kufi?
Qytetar: “Asgjë me shumë vetëm vërtetimin se ke marrë dy vaksinat e mjaftueshme”.
“Në 15 në 11 kam ardhur dhe tani për 10 minuta do bëhen katër orë që pres”, tha një tjetër qytetar.
Policët e këtij vendkalimi tokësor, na thanë se po punojnë me rregull, ndërsa kolonat po krijohen nga ana e kufirit serb.
Përjashtim nga kjo masë bëjnë shoferët vendas si dhe shoferët e huaj të kamionëve që kalojnë nëpër vend.
Shtetasit e huaj që kalojnë nëpër Maqedoni do të kenë pesë orë në dispozicion, duke mbushur një deklaratë të nënshkruar më parë gjatë hyrjes në vend, e të cilën do të duhet ta dorëzojnë para kontrollit kufitar në dalje nga vendi.
