“Hybrid CoE”: RMV-ja në trajektore të ngadaltë drejt BE-së

TË FUNDIT

Maqedonia e Veriut po ecën më ngadalë drejt anëtarësimit në BE, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi janë vendet e Ballkanit Perëndimor me procesin më të avancuar dhe mund të anëtarësohen brenda 2–4 viteve. Raporti i Qendrës Evropiane të Ekselencës për Luftimin e Kërcënimeve Hibride (Hybrid CoE) paralajmëron se zvarritja e zgjerimit të BE-së mund të rrisë zhgënjimin dhe të dobësojë motivimin për reforma, ndërsa anëtarësimi në NATO në vitin 2020 mbetet një nga zhvillimet pozitive për Maqedoninë e Veriut.

 “Dy shtete, Mali i Zi dhe Shqipëria, ka të ngjarë të bëhen anëtare të BE-së gjatë dy deri në katër vitet e ardhshme, ndërsa katër të tjerat aktualisht ndjekin trajektore më të ngadalta. Integrimi i pjesshëm dhe gradual mbart rrezikun e zhgënjimit për shtetet që mbeten pas, nëse ai nuk shoqërohet me rrugë të parashikueshme, afate të qarta dhe përfshirje politike”, theksohet në raport.

BE-ja mbetet partneri kryesor ekonomik i Ballkanit Perëndimor, por ndikimi i Rusisë dhe Kinës po rritet, veçanërisht në energji dhe telekomunikacion. Raporti paralajmëron se korrupsioni, dobësitë institucionale, kapja e mediave, emigrimi i të rinjve dhe rënia demografike krijojnë terren për ndërhyrje dhe kërcënime hibride.

“Rusia, Kina dhe disa shtete të Gjirit kanë thelluar ndikimin e tyre në disa vende, me ftesë nga vetë këto shtete. Ndërkohë, besueshmëria e Perëndimit është sfiduar nga zgjerimi i ngadalshëm i BE-së, kushtëzimi jo i njëtrajtshëm dhe një qasje më transaksionale e politikës së jashtme amerikane. Këto dinamika tregojnë një Ballkan Perëndimor të kapur mes integrimit evropian të bllokuar, presioneve shumëpolare në rritje dhe brishtësisë së vazhdueshme të brendshme”, thuhet në raport.

Ballkani Perëndimor përballet me rrezik të shtuar të stagnimit dhe fragmentimit, për shkak të integrimit të ngadalshëm në BE, dobësive institucionale dhe presioneve të aktorëve të jashtëm. Raporti veçon Serbinë si faktor kyç për stabilitetin rajonal, pasi orientimi i saj politik mund të ndikojë në forcimin e stabilitetit ose në thellimin e ndarjeve në rajon.Ndërkohë, Rusia vazhdon të rrisë aktivitetin dhe ndikimin e saj në Ballkan dhe Evropë, duke përdorur edhe taktika të “zonës gri” dhe duke shfrytëzuar konfliktet dhe dobësitë ekzistuese.