Hungaria është vendi i parë anëtarë i Bashkimit Evropian që e miratoi vaksinën ruse kundër koronavirusit “Sputnik V”, ndërsa e licencoi gjithashtu edhe vaksinën “Astra Zeneka”.
“Drejtoria farmaceutike hungareze ka lëshuar një licencë të përkohshme për vaksinat AstraZeneka dhe Sputnik”, tha Gergeli Gulash, shefi i Kabinetit të kryeministrit Viktor Orban.
Gulash tha se miratimi i mjekëve hungarezë, të cilët kishin qenë në Moskë për javë për të studiuar vaksinën, “hap rrugën për Budapestin për të finalizuar urdhrin”.
Ai shtoi se ministri i Punëve të Jashtme, Peter Siarto udhëtoi sot për në Moskë.
Vaksina “Sputnik” ende ka nevojë për një nënshkrim përfundimtar nga organi hungarez i shëndetit publik, kështu që nuk dihet kur do të jepen dozat e para.
Gulash tha se Hungaria, me një popullsi prej 9.8 milionë banorëve, kishte marrë rreth 330.000 doza të vaksinave Fajzer/BioNTek dhe Moderna që nga dhjetori.
“Për fat të keq, EMA është jashtëzakonisht e ngadaltë”, tha Gulash, duke e mbrojtur pozicionin e fundit të Budapestit për të vepruar i pavarur nga BE-ja.
Sipas autoriteteve ruse, “Sputnik” është regjistruar tashmë në një numër vendesh, siç janë Serbia, Bjellorusia, Venecuela, Bolivia dhe Algjeria.
“Qeveria dëshiron të blejë vaksina që u janë dhënë tashmë miliona njerëzve dhe natyrisht, vetëm vaksinat që janë testuar zyrtarisht dhe aprovuar si të sigurta dhe efektive mund të përdoren në Hungari”, tha Gulash.
Hungaria ka rënë dakord gjithashtu për të marrë një milion vaksina nga Sinofarm të prodhuara në Kinë, në pritje të miratimit nga inspektorët hungarezë aktualisht në Pekin.
“Shpresojmë që vaksinat të jenë në dispozicion në Hungari në sa më shumë vende të jetë e mundur dhe në sasi më të mëdha të mundshme”, tha Gulash.
Hungaria regjistroi sot 98 vdekje të reja nga Kovid-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 11.700 vdekje në vend.
