Hungaria akuzon Ukrainën për ndërhyrje në zgjedhjet e ardhshme

TË FUNDIT

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ka akuzuar udhëheqësinë e Ukrainës se ka tentuar të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme të Hungarisë, akuzë që më vonë është mohuar nga homologu i tij ukrainas.

Në një video të publikuar në mediat sociale, Szijjarto ka pretenduar se ka “koordinim të vazhdueshëm në mes të së majtës hungareze dhe përfaqësuesve të Qeverisë ukrainase”, dhe se Ukraina është duke tentuar të ndikojë në zgjedhjet e 3 prillit në Hungari, në të mirë të koalicionit të partive opozitare.

Szijjarto nuk ka ofruar të dhëna që mbështesin këto pretendime.

Këto deklarata kanë ardhur pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nisur një mori kritikash ndaj qasjes së Qeverisë së Hungarisë për luftën në Ukrainë.

Hungaria, për dallim nga pjesa më e madhe e aleatëve të Bashkimit Evropian, ka refuzuar që t’i ofrojë Ukrainës armë, apo të mundësojë transferimin e tyre përmes territorit të saj.