Danielle Scott-Haughton, drejtuesja e njohur e dramës në BBC, e cila ka qenë e përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimin e dy serive të reja të ardhshme të “Peaky Blinders”, si dhe në adaptimin e veprës së Agatha Christie “Towards Zero”, ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur. Ajo ishte në të tridhjetat.
BBC dhe Netflix kanë konfirmuar zyrtarisht se universi i “Peaky Blinders” do të vijojë me dy seri të reja, secila me nga 6 episode, të cilat do të zhvillohen pas ngjarjeve të filmit të ardhshëm Peaky Blinders: The Immortal Man. Këto dy seri përfaqësojnë një kapitull të ri të sagës dhe do të sjellin në qendër një brez të ri të familjes Shelby.
Danielle Scott-Haughton ishte producente ekzekutive e këtyre dy serive të reja, duke luajtur një rol thelbësor në konceptimin dhe zhvillimin e tyre. Aktualisht, projektet janë në fazë zhvillimi dhe përgatitjeje, ndërsa nuk ka ende një njoftim zyrtar se xhirimet kanë nisur.
Lajmi për ndarjen e saj nga jeta u konfirmua nga drejtuesit e BBC-së, të cilët e përshkruan Danin si një profesioniste të jashtëzakonshme, me pasion, integritet dhe një energji që ndriçonte çdo ambient ku punonte. Përveç Peaky Blinders, ajo mbikëqyri projekte të rëndësishme si EastEnders, Endless Night dhe Just Act Normal.
Kolegët dhe bashkëpunëtorët e saj nga BBC, Mammoth Screen, Balloon Entertainment dhe shumë emra të tjerë të industrisë e përshkruajnë Danin si një figurë frymëzuese dhe një mike të rrallë për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin.
Humbja e saj vjen në një moment kyç për sagën e “Peaky Blinders”, një nga serialet më të dashur për publikun ndërkombëtar.
Aktualisht, seriali “Peaky Blinders” po transmetohet në RTSH 1 HD çdo të hënë dhe të mërkurë ora 22.00 dy seri njëra pas tjetrës.
