Hoxhaj në Tiranë: Ballkani Perëndimor po kalon një fazë të status-quos

TË FUNDIT

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj, po merr pjesë në Konferencën ndërkombëtare të Tiranë të organizuar nga instituti francez, IFRI, ORF nga Vjena dhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë me temën e integrimeve evropiane dhe bashkëpunimit rajonal.
Në fjalimin e tij, në panelin e përbashkët me ambasadorin Wolfgang Petrisch, Hoxhaj ka thënë se rajoni në vitin 2015 po e kalon një moment të status quos për shkak të shumë zhvillimeve globale që e marrin angazhimin më të madh të BE-së.

“Viti 2013 ka qenë viti më i mirë për rajonin kur Kroacia u anëtarësua në BE dhe Kosova e Serbia nënshkruan marrëveshjen e Prillit. Që nga ajo periudhë, Ballkani Perëndimor po kalon një fazë të status quos e cila mund të interpretohet edhe si një lloj lodhje e re. Prandaj BE-ja nuk duhet vetëm të përballet me ndjenjën e frikës përbrenda nga zgjerimi apo krizën financiare por ti adresoj edhe nevojat e vendeve të rajonit e veçmas Kosovës. Rasti i vonesës me nënshkrimin e MSA- dhe vizat për Kosovën flet për një qasje jo të drejtë të BE-së”, ka thënë Hoxhaj.

Ish ministri i jashtëm ka shtuar se gjatë pesë viteve të ardhshme, BE-ja duhet ta projektoj fuqinë e saj brenda dhe jo jashtë sepse rrezikon ta humbas në të dyja drejtimet.

“Çdokush po vonohet me Ballkanin Perëndimor. Ne përbrenda dhe Brukseli në anën tjetër. Prandaj duhet adresuar tri sfidat kryesore si procesin e shtetndërtimit, reformat ekonomike dhe ato historike ndërmjet vendeve”, ka thënë Hoxhaj.

Në këtë konferencë, ambasadori Petrisch, dhe disa ish diplomatë e gazetarë kanë folur për rreziqet e tjera që mund të përfshihet Ballkani sikurse kërcënimi nga Rusia dhe islami radikal.