Të zvogëlohen shpenzimet që hotelet, restorantet e kafeteritë ia japin Shoqatës për Mbrojtje të të Drejtave Autoriale Muzikore, ishte kërkesa kryesore e kumtuar në konferencën e sotme të Shoqatës për Hoteleri dhe Turizëm pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë.
Sipas tyre, tarifa e Shoqatës për Mbrojtje të të Drejtave Autoriale Muzikore është e njëjtë për të gjithë hotelierët, qoftë për objektet e mëdha apo për ato të voglat. Thonë se veç në vitin 2014 Shoqata për Mbrojtje të të Drejtave Autoriale Muzikore ka përfituar 11 milionë denarë nga hotelierët.
“Një nga çështjet shumë kontestuese është që parallogariten edhe ato 12% nga të ardhurat që i fitojnë hotelet dhe restorantet kur organizojnë ahengje. Kjo është jo reale dhe përqindje e lartë, sepse, nëse nuk bën parallogaritje, del se dy herë paguajnë TVSH, dhe kjo është shpenzim tepër i madh për objektet hotelerike”, theksoi përfaqësuesja e hotelierëve Daniella Mihajllovska-Vasilevska.
Nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave Autoriale Muzikore sot nuk ishin në dispozicion për të komentuar mbi këtë çështje.
Shoqata e hotelierëve thotë se me përkrahje nga Ministria e Kulturës thuajse qe dy vjet po kërkojnë përgjigje nga ShMDAM se pse po ndodh kjo rritje, mirëpo nuk kanë marrë përgjigje as për këtë, e as në pyetjen se a janë ngarkuar të gjitha objektet me këto shpenzime. Anketa e bërë në mesin e anëtarëve të Shoqatës për Turizëm ka treguar se një pjesë e hoteleve në Maqedoni i paguajnë ShMDAM-it 12.000 euro në bazë vjetore, kurse hotelet më të vogla nga pjesët tjera të vendit për të njëjtin qëllim në bazë ditore paguajnë rreth 1.200 denarë. As për këto pohime të Odës Ekonomike të Maqedonisë nuk patëm mundësi të marrim qëndrim nga ShMDAM.
Zimer Jashari
