Gjykatësit administrativë deri më tani nuk kanë pranuar asnjë padi të parashtruar nga partitë. Ata i hodhën poshtë 101 paditë e “Së Majtës”, kurse nuk i pranuan as paditë e Unionit Socialdemokrat dhe të Demokratëve. Ky është epilogu i ditës së dytë nga debati i gjykatësve administrativë lidhur me paditë të cilat i kanë parashtruar partitë për shkak të refuzimit të ankesave të tyre nga ana e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Presidenti i Gjykatës, Burim Sejdini, për TV21 deklaroi se pret që gjatë ditës së nesërme të sillen vendime edhe për partitë e tjera të partive.
Dy paditë e VMRO-DPMNE-së kanë të bëjnë me kërkesën e tyre për numërim manual të fletëvotimeve si dhe për kontroll të fletëvotimeve të pavlefshme. Padia e koalicionit “Asnjëherë Veriore -vetëm Maqedoni” është për shkak se në vend të emrit të koalicionit, në fletëvotimin ishte emri i njërës prej partive. Dje, Gjykata Administrative i hodhi poshtë të gjitha paditë e dorëzuara nga ASH dhe Integra. Sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari dje deklaroi se nuk pret shumë nga gjykata, akuzoi se gjykata është politizuar dhe paralajmëroi protestë. Sejdini tha se vendimet i marrin në përputhje me provat e propozuara.
Vendimet e Gjykatës Administrative janë në fazën e fundit në të cilën partitë do të munden të paraqesin ankesa në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve, pas çka nëse hidhen poshtë të gjitha paditë, atëherë do të konfirmohen vendimet e KSHZ-së dhe do të mbyllet procesi zgjedhor. Pastaj KSHZ-ja duhet t’i japë mandatet 120 deputetëve të rinj, ndërsa Kuvendi më së voni deri më 4 gusht duhet ta mbajë seancën konstitutive.
