“Ky është kanali i famëkeq që helmoi mijëra banorë të qytetit të Gostivarit. Gjatë ditës së sotme, policia bashkë me prokurorinë kanë konfiskuar pompat të cilat nga ky kanal e fusnin në rezervuarin që furnizon me ujë qytetin e Gostivarit” – Senat Zylbehari, gazetar.
Me urdhër të prokurorisë, përpos pompave të ujit, dje është marrë edhe i gjithë dokumentacioni në ndërmarrjen komunale.
Kryetari i komunës së Gostivarit, Valon Limani, duke folur për situatën tha se prioritet i tij mbetet shëndeti i qytetarëve dhe që gostivarasit sa më shpejtë të kenë ujë të pijshëm.
“Në këtë moment, shëndeti i qytetarëve është në rend të parë dhe prioritet më i madh, si dhe normalizimi i situatës dhe furnizimi me ujë i qytetarëve të Gostivarit”, tha Valbon Limani.
Në Gostivar sot u takuan kryetarët e Rajonit Planor të Pollogut, ku kryetari i kësaj bashkësie Blerim Sejdiu siguroi se të gjitha komunat e Pollogut janë në gatishmëri për të ndihmuar.
“Ishim të njoftuar nga Komuna e Gostivarit se ekipet po punojnë në terren. Gjithashtu, mesazhi ynë -përveçse tregon se shëndeti i qytetarëve është prioritet është solidarizimi me Komunën e Gostivarit. Të gjitha komunat e rajonit të Pollogut, bashkë me institucionet e tjera që jemi sot të pranishëm këtu, do të ofrojmë ndihmë me të gjitha kapacitetet që posedojmë, në mënyrë që të solidarizohemi me qytetarët dhe me kryetarin e Komunës së Gostivarit”, deklaroi Blerim Sejdiu.
Në Gostivar mbrëmë komuna e Tetovës për herë të dytë dërgoi një cisternë më ujë teknik për spitalin dhe banorët. Qeveria, komuna e Gostivarit dhe donatorët në pesë pika në qytet japin ujë për pije.
