Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nisi procedurë hetimore kundër gjashtë personave fizikë dhe dy personave juridikë me dyshimin për përvetësim dhe pastrim parash nga tarifat e regjistrimit të automjeteve. Prokurori kërkoi nga gjykatësi i procedurës paraprake paraburgimin e tre të dyshuarve dhe masën e kujdesit për një të dyshuar, ndërsa dy të tjerët do të hetohen në liri. Hetimi përfshin pronarin dhe menaxherin e një kompanie sigurimesh, S.S. nga fshati Kuçevishtë, i cili ishte gjithashtu anëtar jo-ekzekutiv i Bordit të Drejtorëve të kompanisë së ndërmjetësimit të sigurimeve, për të cilin dyshohet se ka kryer veprat penale “Përvetësim në detyrë” dhe “Pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga një vepër penale”.
“Sipas provave të siguruara deri më sot, në periudhën nga 01.01.2021 deri më 20.01.2026, i dyshuari i parë, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore të paligjshme për vete, përvetësoi 138,877,419 denarë, ose afërsisht 2.26 milionë euro, në dëm të disa institucioneve dhe komunave, ndërsa të dyshuarit e tjerë qëllimisht e ndihmuan atë në kryerjen dhe fshehjen e krimit”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Dy anëtarë ekzekutivë të Bordit të Drejtorëve të kompanisë së ndërmjetësimit të sigurimeve dhe një kontabilist i çertifikuar dhe menaxher i një kompanie shërbimesh kontabiliteti dyshohen për ndihmë në kryerjen këtyre veprave penale. Shefi i stacionit të inspektimit teknik dhe ndihmës drejtoresha për financa në N.P. Rrugët Shtetërore dyshohen për ndihmë në kryerjen e veprës “Përvetësim në detyrë”. Hetimi përfshin edhe dy persona juridikë të dyshuar për “Pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga krimi”.
Kontabilisti i dyshuar ka regjistruar të dhëna të rreme në dokumentacionin dhe ka paraqitur deklarata tatimore dhe llogari vjetore që nuk tregonin gjendjen reale financiare të personit juridik përgjegjës.
Ndihmës drejtoresha e financave në N.P. Rrugët Shtetërore, megjithëse kishte për detyrë të monitoronte mbledhjen e tarifave dhe të kontrollonte raportet e paraqitura, me vetëdije nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme. Ajo ka informuar udhëheqësin e stacionit të inspektimit teknik për shumat e mbledhura në llogarinë e ndërmarrjes, në vend që personi juridik të dorëzonte raporte mujore në kompani.
“Si drejtues i personit juridik me aktivitetin e kryerjes së inspektimeve teknike të automjeteve, i dyshuari i parë përgatiti dhe dorëzoi raporte të rreme mbi tarifat e mbledhura gjatë regjistrimit të automjeteve në disa institucione dhe komuna kompetente, si dhe fletëpagesa të rreme për tarifat e rrugëve publike. Shefi i stacionit të inspektimit teknik, si person i autorizuar, përgatiti dhe nënshkroi fatura dhe dorëzoi raporte me të dhëna të rreme mbi tarifat e mbledhura”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Sipas Prokurorisë, me qëllim fshehjen e fondeve, tarifat e mbledhura u paguan në llogaritë e një kompanie ndërmjetësimi sigurimesh. Anëtarët ekzekutivë të Bordit të Drejtorëve e kanë ditur ose duhej ta dinin se një pjesë e të ardhurave vinte nga mbledhja e tarifave, e jo nga biznesi i sigurimeve. Së bashku me anëtarin jo-ekzekutiv të Bordit të Drejtorëve, ata kanë transferuar fondet midis llogarive të personave juridikë dhe i kanë përzier ato me të ardhurat nga operacionet e rregullta, e një pjesë është përdorur edhe për të blerë pasuri të paluajtshme në dobi të personit juridik, thonë nga organi i akuzës.
