Në Universitetin e Evropës Juglindore diplomoi gjenerata e 19-të. Hapja e ceremonisë u bë nga kryetari i Bordit, Klaus Toterman i cili tha se përkrahja për UEJL-në do të vazhdojë edhe në të ardhmen nga institucionet ndërkombëtare. Rektori Abdylmenaf Bexheti tha se deri më tani në këtë universitet janë regjistruar 27 mijë studentë, prej të cilëve 16 mijë kanë diplomuar.
“Ashtu si të gjithë që lindin të barabartë dhe zhvillohen në mënyrë ta ndryshme, edhe studentëve të UEJL-së që hynë në universitete janë të barabartë po zhvillohen me intensitete të ndryshme, për shkak se zhvillohen ndryshe për shkak të rrethanave pa fajin e tyre, të dytët zhvillohen ndryshe mbi bazë të meritës së tyre, varësisht nga pasioni mundësitë e barabartë për t’i zhvilluar mundësitë që i ofron UEJL-ja. Sot nuk është si dje dhe nesër nuk do të jetë si dje në kuptimin e ndryshimeve që ndodhin në shoqëri në planetin tonë, ashtu si gjithë lëvizjet në shoqëri sot edhe nesër nuk janë brenda një rrethi katrori apo zone të caktuar gjeografike dhe profesionet nuk do të jenë të përjetshme”, pohoi Abdylmenaf Bexheti, rektor- i UEJL—së.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në fjalën e tij para studentëve tha se kjo është një gjeneratë ambicioze që do të sjellë përfitime të mëdha për vendin.
“Në këtë vend ku jam unë para më shumë se 20 vitesh ka bërë të ndihemi si në Europë si me kushtet si me standardet si me të gjitha kushtet e studimit që ka ky universitet. Më lejoni që të uroj të gjithë studentët diplomuar të gjeneratës së re. E di se ju presin shumë të reja në planin personal dhe profesional, pasi që jeni gjeneratë ambicioze që do të sjellë përparim të madh për vendin në aspektin social edhe ekonomik”, theksoi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Në cermoni fjalim në emër të studentëve të dalluar mbajti edhe studenti Miraxh Lika. Ceremonia solemne me rastin e promovimit të gjeneratës së nëntëmbëdhjetë të absolventëve të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë u përcoll me një program artistik ndërsa ishin të pranishëm një numër i madh i prindërve të studentëve dhe të stafit akademik.
