Hebrenjtë ultraortodoksë protestojnë kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Izrael: Më mirë të vdesim si hebrenj sesa të jetojmë si sionistë

TË FUNDIT

Dhjetëra mijëra hebrenj ultraortodoksë dolën në rrugët e Izraelit, duke bllokuar rrugët dhe linjat hekurudhore në shenjë proteste kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak, raportojnë mediat amerikane, përcjell TV21.Protestat paralizuan rrugët kryesore, ndërsa për shkak të tubimeve masive në Jerusalem dhe në zonën më të gjerë të Tel Aviv, transporti publik u ndërpre, shkruan AP.

Disa nga protestuesit mbanin pankarta që dënonin Izraelin, me mesazhe si: “Më mirë të vdesim si hebrenj sesa të jetojmë si sionistë” dhe “Refuzojmë të shërbejmë në ushtrinë e fesë sioniste”.

Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për shumicën e burrave dhe grave hebreje në Izrael, shkruan Al Jazeera. Megjithatë, partitë e fuqishme ultraortodokse prej dekadash kanë siguruar përjashtime për ndjekësit e tyre, në mënyrë që ata të mund të studiojnë në seminare fetare në vend që të shërbejnë në ushtri.

Këto përjashtime tashmë po vihen në pikëpyetje, pasi ushtria izraelite po përballet me mungesë të konsiderueshme ushtarësh për shkak të luftës në disa fronte dhe po shqyrton zgjatjen e kohëzgjatjes së shërbimit të detyrueshëm.

Shumica e burrave hebrenj në Izrael duhet të kryejnë pothuajse tre vjet shërbim ushtarak, pas së cilës pasojnë vite të tëra në rezervë. Për gratë, shërbimi i detyrueshëm zgjat dy vjet.