Haxhiu: Kushdo që mendon se po shkelet Kushtetuta, le t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

TË FUNDIT

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke komentuar afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, mundësinë e zgjedhjeve të reja dhe mospjesëmarrjen e partive politike në takimet për zgjedhjen e presidentit.

Haxhiu ka thënë se, sipas saj, edhe në vitin e kaluar Kuvendi nuk ishte konstituar brenda afatit prej 30 ditësh, duke argumentuar se nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese deri në konstituim kishin kaluar rreth 160 ditë.

“Në vitin e kaluar, prej momentit kur Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që brenda 30 ditëve duhet të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, e deri në konstituim kanë kaluar diku 160 ditë — pra jo 30, po 160 ditë. Po t’u heqim këtu ditët kur çështjet kanë qenë duke u trajtuar në Gjykatën Kushtetuese, janë gjithsej diku 59 ditë. Pra, nuk është konstituar as vitin e kaluar seanca brenda 30-ditëshit”, ka deklaruar Haxhiu.