Hapet tender për stadiumin e Tetovës. Kasami zotohet se do të bëhet për 3 vjet, do të kushtojë 10 milionë euro

TË FUNDIT

Kryetari i Tetovës  Bilall Kasami kumtoi se komuna ka hapur tenderin për stadiumin e qytetit me vlerë prej 10 milionë eurove. Sipas tij ky stadium do të plotësojë të gjitha kushtet e  nevojshme.

“Komuna e Tetovës përmes Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” ka shpallur tenderin më të rëndësishëm deri më tani për Tetovën e që ka të bëjë me ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve sportive, duke filluar me stadiumin kryesor të qytetit. Lënda e kontratës së prokurimit publik ka një vlerë të parashikuar prej 600.000.000 denarë pa TVSH, ose rreth 10 milionë euro. Ky projekt është shembulli konkret i përkushtimit tonë ndaj zhvillimit të infrastrukturës sportive dhe krijimit të ambienteve të përshtatshme për rekreacionin e qytetarëve tanë”, u shpreh Bilall Kasami”, kryetar i komunës së Tetovës.

I pyetur nëse do të rinovohet stadiumi aktual apo të ndërtohet një i ri, Kasami tha se do të rinovohet por mund edhe të ndërtohet stadium i ri.

“Është paraparë edhe mundësi e një stadiumit të ri por behët fjalë për rikonstruimim pasi që është objekti nuk behët fjalë për objekt të ri, por realisht bashkë me kompanitë që do të konkurrojnë mund të dakordohemi të ndërtohet komplet një stadium i ri”, shtoi Kasami.

Në bazë të të dhënave zyrtare stadiumi i Tetovës, i ndërtuar në vitin 1980, ka kapacitet për 15 mijë shikues, ndërsa Kasami thotë se stadiumi ka kapacitet për 10 mijë dhe se nuk do të ulet kapaciteti,  edhe pse në tender shkruhet se stadiumi do të ketë 9517 ulëse.

“Unë nuk kam informata se është 15 mijë ulëse, në këmbë ndoshta është, po me ulëse është ndër 10 mijë dhe nuk do të ulet kapaciteti i stadiumit ndjeshëm, do të ketë vetëm një zvogëlim të vogël në drejtim në të rritjes së kualitet që do tu ofrohen tifozëve gjatë pjesëmarrjeve në ndeshje si dhe të standardeve që do t’i ofrojë në bazë të UEFA-s një stadium të kategorisë së katër”, sqaroi Kasami.

Tenderi do jetë i hapur deri me 22 dhjetor, ndërsa sipas Kasamit afati i ndërtimit do të jetë 36 muaj. Sipas tij stadiumi do të jetë i qytetit, ndërsa më pas do të shihet nëse do të jepet me koncesion ose jo.