Hapësira qytetare në Ballkan po ngushtohet! Pas tre viteve pauzë, në Maqedoni rikthehet Këshilli për Bashkëpunim

TË FUNDIT

Prej vitesh vihet re një ngushtim i hapësirës qytetare në rajon – thonë nga Rrjeti Ballkanik për Zhvillimin e Shoqërisë Civile.
Edhe pse ligjet garantojnë lirinë e organizimit dhe shprehjes, në praktikë organizatat përballen me barriera administrative, kontrolle selektive dhe presione.

Sipas Rrjetit Ballkanik, institucionet gjithnjë e më shpesh e reduktojnë bashkëpunimin me organizatat qytetare në formalitet të pastër, pa ndikim të vërtetë në politikat publike.

Megjithatë, ekzistojnë edhe praktika pozitive. Mali i Zi ka hapur qendrën e parë burimore për organizatat qytetare, ndërsa pas tri vitesh, edhe në Maqedoni është rikthyer Këshilli për Bashkëpunim me Qeverinë. Një shembull pozitiv është edhe Kosova, për shkak të pjesëmarrjes së strukturuar të organizatave përmes këshillit dhe platformës për konsultime publike.

Por situata në Serbi, Turqi dhe Republika Serbska është më shqetësuese – me ligje për “agjentë të huaj”, arrestime masive dhe rikriminalizim të shpifjes.

Rrjeti u bën thirrje qeverive të krijojnë sisteme transparente financimi, politika tatimore të qarta dhe mbështetje të depolitizuar për organizatat, ndërsa nga bashkësia ndërkombëtare kërkon ndihmë financiare afatgjate dhe fleksibile. Në raport theksohet se pa reforma konkrete dhe mbështetje të qëndrueshme, shoqëria civile në rajon rrezikon të shndërrohet në një vëzhguese të heshtur, në vend që të jetë pjesëmarrëse aktive në proceset demokratike.