“Gurthemeli i Korridorit 10D do të vihet më 12 maj”, Grubi: Sa më gjatë zgjasin punimet aq më shtrenjtë do të paguajmë

TË FUNDIT

Nëse nuk miratohen propozim ndryshimet e ligjeve në kuvend që kanë të bëjnë me lehtësimin e punimeve për katër autostradat nga korridoret 8 dhe 10d, punët ndërtimore do të zgjasin më shumë dhe projekti do të kushtojë më shtrenjtë.  Keshtu theksoi zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi,  në briefing me gazetaret. Grubi, që është edhe koordinator për monitorimin e punëve dhe aktiviteteve të këtyre projekteve,  tha se nuk dihet se sa mund të kushtojnë vonesat eventuale.

“Ose do të jetë më shkurt dhe më lirë ose më gjatë dhe më shtrenjtë. Nuk mund të themi sa do të ishte shuma e projektit nëse zgjatet afati 4.7 vjeçar. Nëse nuk ka fuqi të mjaftueshme punëtore, do të importohet nga jashtë dhe askush nuk do t’i detyrojë punëtorët tanë të punojnë”, tha Artan Grubi – koordinator i punimeve.

Gurthemeli i Korridorit 10D do të vendoset pas një muaji, apo më saktë më 12 maj, ndërsa lokacioni ende nuk dihet saktë. Sipas Grubit, marrëveshja me “Bechtel dhe Enka” për Korridorin 8 dhe 10D nuk mund të bëhet publike, pasi është e klasifikuar si sekret biznesi dhe me kërkesë të kompanisë marrëveshja nuk publikohet.

“Qeveria nuk do ta vërë në dispozicion të publikut këtë kontratë për ndërtimin e korridoreve sepse është konfidenciale dhe përndryshe nuk është kontrata e parë e tillë e nënshkruar në Maqedoni”, pohoi Artan Grubi – koordinator i punimeve.

Përndryshe zv/kryeministri Grubi u pyet edhe për ceremoninë me të cilën u shënua shpalosjes e tabelës për Korridorin 8, e për këtë tha se shpenzimet i ka mbuluar kontraktuesi.