Nëse fshati njihet për jetë të qetë, e tillë nuk është për llabunishtasit e Strugës.
Reshad Alievski çdo ditë ndeshet me pamje të këtillë.
Gurthyesen e ka qindra metra sipër shtëpisë.
Shpërthimet dhe pluhuri që i vjen nga gurorja është bërë e padurueshme për familjen e tij.
“Shumë vështirë është të jetohet këtu afër gurores”.
Pse?
“Shumë zhurmë dhe pluhur, ja siç e shihni lart se si është gurorja. I ka shqetësuar edhe kafshët”, deklaroi Reshad Alievski, banor i zonës.
Dëme nga guroret po pësojnë edhe bletarët e këtyre anëve.
“Para 10 viteve kam nxjerrë një ton, ose një ton e gjysmë mjaltë nga këto koshere këtu, janë rreth 60. Tani numri më është zvogëluar dhe tani mjaltë marr vetëm sa për vete, për familjen time. Nuk mund të prodhohet më mjaltë. Nuk ka bletë. U shkatërrua bletaria”, tha Minur Fejzullovski, bletar.
Krahas shqetësimit që vjen nga dridhjet e shpërthimeve, grimcat e pluhurit po sjellin edhe kancerin në Llabunishtë, thotë Medim Mehmedovski nga këshilli iniciativ që kërkon ndalimin e punës së guroreve ose dislokimin e tyre.
“Sipas njohësve të mjekësisë nga anët tona, që punojnë këtu dhe e njohin gjendjen, në 10 vitet e fundit në mënyrë më enorme është rritur numri i sëmundjeve kanceroze, problemeve me rrugët e frymëmarrjes, sëmundje të mushkrive. Veçanërisht problem kemi tek fëmijët tek të cilët paraqitet alergji e madhe të cilën me shumë gjasa e shkaktojnë guroret, sepse ndodh vetëm në këtë terren”, deklaroi Medim Mehmedovski.
Për të kuptuar më tepër për hallin e banorëve, ekipi i Televizionit 21 erdhi në qendër të Llabunishtit, fshat me rreth 9 mijë banorë.
I gjetëm në ditë pazari. Rruga kryesore e mbushur përplot tregtarë. Të shumtë ishin ata që donin të tregonin për problemin e përbashkët që kanë.
“Kërkesat tona, nuk na intereson kush është fajtori, thjesht duam ndërprerje të të gjitha guroreve dhe kthim prapa nuk ka”, theksoi Alim Sallovski, kryetar i Shoqatës ekologjike “NatyraLab”.
Ka javë që banorët protestojnë kundër guroreve. Edhe kjo e premte i gjeti duke e ngritur zërin për shëndetin dhe mjedisin e tyre.
“Prej këtu dërgojmë apel deri te institucionet se nuk do të ndalojmë me protestat derisa nuk zgjidhen problemet tona me guroret”, potencoi Edis Memishoski, banor i Llabunishtit.
“Guroret në fshatrat Llabunishtë dhe Borovec i helmuan fëmijët tanë”, u shpreh kryetari i Bashkësisë Lokale në fshatin Borovec.
Po çfarë po bëjnë autoritetet publike që u kanë dhënë leje për punë gurthyesve?
Kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko na tha se ai bashkë me përfaqësues të protestuesve, koncesionerët e guroreve dhe sektorin e minierave në Ministrinë e Ekonomisë janë ulur në tryezë dhe kanë dhënë disa opsione si zgjidhje të mundshme.
“Kemi kërkuar dhe ata vetë (koncesionerët) kanë shprehur vullnet që nëse ka ndikim negativ në shëndet, automatikisht vetë do t’i mbyllin guroret, ky është njëri prej konkluzioneve. Konkluzioni tjetër është në rast se na i kompensoni harxhimet e investimit për hapjen e guroreve, qoftë shteti apo fshati, përsëri mund të largohen. Ndërsa e treta, që e propozuam edhe ne, është që në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë të kërkojmë vende të tjera për dislokim të këtyre guroreve”, deklaroi Ramiz Merko, kryetar i Komunës së Strugës.
Këto opsione do të shqyrtohen nga protestuesit dhe ministria, për të gjetur një zgjidhje.
Gjithsej janë 5 gurore që e rrethojnë Llabunishtën. Siç na tha Merko por edhe banorët, njëra prej guroreve ka marrë përgjigje negative për punë. Dy të tjera kanë pezulluar punët. Janë vetëm guroret “Mitrans” dhe “Vlashi” që punojnë për momentin dhe duhet të gjejnë një rrugëzgjidhje për të mos u sjellë më dëm llabunishtasve.
