Të paktën 19 persona kanë humbur jetën, 134 janë plagosur, ndërsa 12 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas tërmetit të fuqishëm që goditi mëngjesin e sotëm jugun e Filipineve.
Tërmeti me magnitudë 7.8 ballë ndodhi në orën 07:37 sipas kohës lokale. Epiqendra u lokalizua në jugperëndim të qytetit Maasim, në provincën Sarangani, në ishullin Mindanao.
Autoritetet raportojnë dëme të konsiderueshme, veçanërisht në qytetin General Santos. Lëkundjet u ndjenë edhe në pjesë të Indonezisë dhe Japonisë, ku fillimisht u lëshuan paralajmërime për cunami, por më vonë ato u hoqën.
Sipas Institutit Gjeologjik të SHBA-së, tërmeti ndodhi në një thellësi prej 55 kilometrash dhe u pasua nga një numër i madh pasgoditjesh.
Në zonat e prekura janë ndërprerë energjia elektrike dhe shërbimet e telekomunikacionit, ndërsa mësimi në shkolla dhe puna në institucione publike e kompani private janë pezulluar.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., ka urdhëruar menjëherë mobilizimin e ndihmave dhe masave të emergjencës për banorët e prekur.
