GRUEVSKI “MËSUES” I HUNGAREZËVE PËR BALLKANIN, SIJARTO: ISH-KRYEMINISTRI NË FAVOR TË ADERIMIT TUAJ NË BE

TË FUNDIT

I arratisur Nikolla Gruevski i brifon autoritetet hungareze për politikat e Ballkanit Perëndimor. Këtë e pranon edhe vetë Ministri i Jashtëm hungarez Peter Sijarto.

“Nëse dikush ka qenë për 10 vite kryeministër në këtë rajon unë vlerësoj se ai e kupton rajonin shumë mirë. Unë s’kam kërkuar për asnjë autorizim për të treguar ndonjë pjesë nga diskutimi ynë por mund t’ju them se edhe ish Kryeministri juaj është goxha në favor të aderimit tuaj në BE”, tha Peter Sijarto, ministër për Punë të Jashtme i Hungarisë.

Pyetjes nëse Gruevski tashmë është shndërruar në spiun hungarez, kryediplomati hungarez fillimisht ju përgjigj me një buzëqeshje të hollë, e më pas shtoi:

“Prezencën e tij në Hungari ne e konsiderojmë si çështje juridike dhe nuk ka ndikim në politikën tonë të jashtme. Sot po qëndroj para jush dhe tregoj mbështetjen tonë të plotë për aderimin tuaj në Bashkimin Evropian”, deklaroi ministri për Punë të Jashtme i Hungarisë, Peter Sijarto.

Nga Ministria jonë e Drejtësisë konfirmojnë se në Budapest ka arritur kërkesa e dytë për ekstradimin e ish-Kryeministrit Gruevski, tashmë i akuzuar për ngjarjet në Kuvend më 27 prill. Megjithatë Sijatro nuk tregon se ­ç’hapa do të merren për këtë kërkesë, sepse siç tha, vendimi do të jetë i gjykatës, ndërsa qeveria nuk mund të përzihet.

Edhe zëvendëskryeministri Osmani tha se çështja Gruevski është çështje juridike dhe se nuk kanë lejuar që e njëjta t’i rëndojë marrëdhëniet e mira politike mes Maqedonisë dhe Hungarisë.

Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit parlamentare, Sijatro ishte i ftuar në fushatën e VMRO-DPMNE-së, ku thurte lavde për Gruevskin dhe ish-ministrin e jashtëm Nikolla Popovski.

“Andaj me të drejtë mund të krenoheni me ta”.

Përgatiti: Besir Arifi