Grubi: Tetovë-Gostivar do të bëhet autostradë e re. Kovaçevski: 30 vjet askush nuk deshi ta bëj autostradën me Shqipërinë

TË FUNDIT

Janë tejkaluar të gjitha pengesat dhe është konfirmuar përzgjedhja e kompanisë IRD si konsulente dhe mbikëqyrëse e punimeve të Korridorit 8 dhe 10-D,e cila do të ndërtohet nga kompania “Bechtel Enka”.
Sipas zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi, në projekt është paraparë që autostrada Tetovë-Gostivar të prishet në tërësi dhe të ndërtohet autostradë e re me nga 3 korsi.

“Nënshkruam konzorciumin ndoshta më të madh botëror në ndërtim “Bechtel Enka” amerikano-turk, për të ndërtuar autostradën e Korridorit 8. Ajo autostradë nënkupton rrënimin e tërësishëm të rrugës aktuale Tetovë-Gostivar, të gjitha katër korsitë prishen dhe do të ndërtohet autostrada me nga tre korsi në secilën anë, plus edhe një rrugë anësore që do të lidh fshatrat nga Tetova deri në Gostivar”, tha zv/kryeministri i parë Artan Grubi.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski i pyetur për autostradën me Shqipërinë thotë se shkaqet e prolongimit të punëve kanë qëne historike e politike, duke shtuar se për 30 vjet askush nuk ka dashur ta bëjë.

“30 vjet askush nuk ka dashur ta bëjë autostradën për në Shqipërinë, e këtë vit nisin punët për autostradën për në Shqipëri. Tashmë po punohet rruga eksprese me katër korsi, është siguruar buxheti për financim për vitin e parë, është pjesë e buxhetit. Vlerësoj se këtë vit do të fillojnë punët dhe për 5-6 vjet do të rezultojnë me një autostradë të re deri në Shqipëri. Kjo do të na mundësojë lidhje edhe me Tiranën edhe me Durrësin”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri Kovaçevski foli edhe për autostradën Shkup-Bllacë, duke e quajtur si rruga më e komplikuar dhe e vështirë për tu bërë. Megjithatë ka vullnet për tu bërë tha i pari i Qeverisë, duke shtuar se faza e dytë po projektohet dhe sapo të përfundoj do të shpallet tenderi për tu përzgjedhur kontraktor.
Përndryshe për ndërtimin e autostradave të Korridorit 8 në buxhetin e vitit 2023 janë parashikuar 244 milionë euro.