Qeveria nuk humb shpresën edhe përkundër paralajmërimeve të palës bullgare se nuk do të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Maqedonisë. Zv.kryeministri i parë, Artan Grubi thotë se ekziston nismë franceze për zgjidhjen e çështjes mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Përgjigjet e të gjithë kërkesave të Bullgarisë janë dërguar nga ana jonë dhe te ne ekziston gatishmëri për kompromis i cili është i pranueshëm për vendin tonë, tha ai.
Kryeministri teknik bullgar, Stefan Janev në pyetjen e deputetëve përsëriti se nuk ka ndryshime në qëndrimin e Qeverisë në lidhje me pozitat ndaj Maqedonisë dhe fillimit të negociatave. Shtoi se pala maqedonase nuk e respekton Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, ndërsa negociatat mund të vazhdojnë vetëm në bazë të 5+1 pikave.
“Nuk ka ndryshim të pozitës bullgare, nuk ka diçka që shoqëria bullgare nuk e di, në mënyrë shtese dje në këshillin e ministrave e konfirmuam pozitën e qeverisë bullgare që do të prezantohet në këshillin për punë të përgjithshme javën e ardhshme në Bruksel. Pozita bullgare disa herë jo vetëm që është e deklaruar dhe komentuar, ajo është e sigurt dhe publike me të ashtuquajturit 5 pikat. Kjo është skema sipas së cilës mund të vazhdojnë negociatat“, tha Stefan Janev, kryeministër i Bullgarisë.
Për pozitën bullgare ndaj Maqedonisë flet edhe anketa e fundit nga Galup, sipas së cilës 71% e qytetarëve bullgarë mendojnë se vendi për të marrë dritë jeshile për fillim të negociatave për anëtarësim, së pari duhet t’i zgjidhë çështjet me Bullgarinë. Përndryshe sot vazhdoi me punë Komisioni i përzier maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore, i cili për shkak të pandemisë takimin e mbajti online. Tani për tani nuk ka informacione për rezultatin nga ky takim, por para disa ditësh historiani bullgar Angell Dimitrov akuzoi se pala maqedonase nuk ishte konstruktive gjatë negociatave dhe se kanë ngecur në shekullin 10 dhe 11 në kohën e car Samuilit dhe se aspak nuk ka negociata rreth festimit të përbashkët të Goce Dellçevit.
