Grubi në Prishtinë: Lojaliteti i qytetarit ndaj shtetit varet nga lojaliteti i shtetit ndaj qytetarit

TË FUNDIT

Zëvendëskryetari Artan Grubi sot mori pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimit racor, organizuar në Prishtinë nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Grubi në fjalimin e tij drejtuar pjesëmarrësve tregoi kronologjinë e zhvillimit të ngjarjeve kundër diskriminimit në Maqedoninë e Veriut, duke krahasuar situatat nga viti 2001 e deri në arritjet e viteve të fundit, ndërsa theksoi se Marrëveshja e Ohrit vendosi standardet e përfaqësimit të drejtë dhe të garantuar institucional të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Avancimi i të drejtave të komuniteteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut u bë falë Marrëveshjes Kornizë të Ohrit prej nga burojnë parimet dhe baza juridike për të drejtat e garantuara. Më duhet ta theksoj se parimet e Marrëveshjes së Ohrit kanë karakter universal, kështu, përveç zyrtarizmit të gjuhës shqipe, me këtë Marrëveshje ju është mundësuar komunikimi në gjuhën e tyre amtare edhe komuniteteve, si ai turk, rom, boshnjak e serb në disa komuna, edhe atë si gjuhë zyrtare, përfshirë dhe përdorimin e flamurit kombëtar të komuniteteve. Gjithashtu, të gjitha komunitetet e kanë të garantuar me kushtetutë të drejtën e mësimit në gjuhën amtare”, tha mes tjerash Grubi.

Grubi tha se vazhdojnë angazhimin për të pasur një shoqëri të harmonizuara mes bashkësive etnike dhe ky angazhim, sipas tij, ka bërë që të zhduken rastet kur: prindërit ishin të gatshëm që fëmijët e tyre t’i çojnë në shkollë më të largët për shkak se në shkollën më afër ka shumë nxënës romë, kur shkollat ishin të ndara në ndërrimin e parë dhe të dytë në bazë etnike e racore, ose ndërtesa e shkollës ishte e ndarë në dy pjesë.

“E vërtetë e hidhur është se ka pasur dhe ka prindër që kanë protestuar kundër hapjes së paraleleve në një gjuhë tjetër, sepse nuk kanë dashur që fëmijët e tyre të kenë kontakt me nxënës të një etnie tjetër, kur mjekët dhe infermierët e kanë shkelur edhe betimin e Hipokratit duke refuzuar t’ua japin trajtimin e duhur pacienteve rome, kur disa pronarë diskotekash apo lokalesh, t’ua ndalojnë hyrjen pjesëtarëve të kombësisë rome…raste të rralla, por që kanë ndodhur dhe gjithë i dimë. Them shpesh se lojaliteti i qytetarit ndaj shtetit varet nga lojaliteti i shtetit ndaj qytetarit. Sa me lojal shteti ndaj qytetarit, aq me lojal është qytetari ndaj shtetit. Legjislatura në njërën anë, si bazë e eliminimit të diskriminimit në baza etnike, racore, fetare, gjuhësore etj, duhet të përcillet me procesin e vështirë të çlirimit të çdo njeriu nga paragjykimet që ka për të tjerët”, pohoi mes tjerash Grubi.