Kur të hapet Kushtetuta për futjen e bullgarëve do të duhet të ndryshohen edhe shumë gjëra të tjera, tha në “Click Plus” zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi. Sipas tij janë dhjetëra pika në Kushtetutën që janë të interpretuara ose shkruara keq, janë diskriminuese ose jofunksionale dhe për këtë arsye është i nevojshëm një ndryshim të mirëfilltë të Kushtetutës.
“Jo vetëm çështja e preambulës, po edhe çështje tjera përfshirë 20%, censusin për referendum, mënyrë e zgjedhjes së presidentit, p.sh jo në zgjedhje të drejtpërdrejta. Të hapim një debat të gjerë shoqëror dhe të bëjmë një ndryshim të mirëfilltë të Kushtetutës me të gjitha elementet, jo vetëm ndryshimin e preambulës me përfshirjen e komunitetit bullgar, malazez, kroat dhe të tjerë. Jo vetëm heqjen e 20% dhe zëvendësimin me gjuhën shqipe po t’i shohim edhe gjërat tjera”, tha Artan Grubi, zëvendëskryeministër i parë.
Për ndryshimet kushtetuese, Grubi duke bërë llogaritjet e numrave, përveç në votat e opozitës shqiptare, llogarit edhe në disa deputet të opozitares VMRO-DPMNE.
“Në qoftë se pretendojmë që i kemi 74, jemi minus 6 për ndryshime kushtetuese. Unë mendoj që gjithë këto 44 të tjerë, me përjashtim të 2 të “Levicës”, janë në bindje pro europiane, pro euroatlantik dhe duan ta shohin Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Europian. Them që jam shumë optimist që do i kemi më shumë se 80 deputet për ndryshimin e kushtetutës”, pohoi Artan Grubi, zëvendëskryeministër i parë.
Kanë reaguar nga VMRO-DPMNE. Deputetja Dafina Stojanovska tha se Grubi nuk mund të sillet si profet dhe të tregojë se çfarë do të ndodhë me deputetët e koalicionit opozitar.
“Nuk mundet që Artan Grubi të sillet si profet, të tregojë se çfarë do të ndodhë me deputetët tanë dhe me partnerët tanë të koalicionit sepse këtu ka ende dy deputetë që edhe në vitin 2018 nuk lëshuan ndaj presioneve njerëzore dhe jonjerëzore”, tha Dafina Stojanovska, deputete e VMRO-DPMNE-së.
Për ndryshimet kushtetuese janë të nevojshëm 80 vota deputetësh.
