Gripi sezonal po ngjitet drejt pikut. Shumë qytetarë festat po i kalojnë nëpër spitale. Në spitalin për sëmundje të mushkërive për fëmijët në Kozle të Shkupit po punohet me kapacitet të plotë.
Korridoret e saj janë të mbushura nga prindërit dhe fëmijët të cilët ankohen për pritje.
Gjatë fundjavës vetëm në këtë spital janë kontrolluar rreth 800 pacientë, një numër tejet i lartë për 48h.
Pediatrja specialist Elena Gjinovska-Tasevska tha se gjatë ditës së djeshme janë trajtuar rreth 150 fëmijë. Numër ky në rritje edhe sot, ku prej njëqind fëmijëve të shtruar në spital, 6 janë në aparate të oksigjenit.
“Gripi, përkatësisht influenca e ka arritur pikun, kështu që simptomat më të shpeshta janë rritja e temperaturës trupore, ulja e apetitit dhe kollitja. Kapaciteti për momentin vërtetë është i mbushur, po ruhen vetëm disa shtretër! Rreth njëqind fëmijë janë hospitalizuar, prej të cilëve 6 më gjendje të rënduar të vendosur në frymëmarrje oksigjeni, të tjerët janë stabile dhe për momentin kemi vetëm disa vende që i ruajmë për raste më urgjente, të cilëve mund t’ju duhet trajtim spitalor”, tha Elena Gjinovska – Tasevska, Pediatre Specialist.
Simptomat e gripit janë të ngjashme me të virusit korona, andaj nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë thirrje për vaksinim sa më masiv. Ministri Aliu tha se deri më tani janë vaksinuar 77 mijë qytetarë. Shtoi se akoma nuk është arritur kulmi për të dhënë rekomandime nga Komisioni i sëmundjeve ngjitëse.
“Kanë mbetur edhe rreth 3 mijë vaksina që mund t’i shfrytëzojnë qytetarët pa u paraqitur fare në sistemin e vaksinimit, por të shkojnë direkt në institucionet shëndetësore për t’u vaksinuar. Kjo është mënyra e vetme si mundemi ne t’i mbrojmë qytetarët tanë që janë në atë kategorinë e ndjeshmërisë siç janë të moshuarit, gratë shtatzëna, punonjësit shëndetësor e kështu me radhë”, u shpreh Azir Aliu, Ministër i Shëndetësisë (05.01.2026).
Rekomandimet e mantel bardhëve janë që qytetarët t’u shmangen tubimeve, ndejave në ambiente të mbyllura dhe t’i përmbahen higjienës personale. Madje sugjerojnë që në mënyrë parandaluese të marrin vitamina dhe suplemente ushqyese për të ngritur imunitetin. Meqenëse virozat janë tejet ngjitëse, mjekët thonë se mos t’i sjellin fëmijët direkt nëpër spitale që në simptomat e para, për të mos u sëmurë më keq, por të përpiqen fillimisht në mjekim shtëpiak apo edhe përmes mjekut familjarë tu jepet terapia përkatëse.
