“Do ta pyes ministrin, por të jetë i sinqertë! Ama i sinqertë! A i duket e dinjitetshme rroga jonë? -Jo një herë, por e kam thënë disa herë që jam për paga më të larta. -E atëherë zotëri ministër merrni masa ju lutem…”, tha Asllan Kadriu, profesor gjimnazi “Drita” Kërçovë.
Njëjtë si mësimdhënësit që janë në grevë, edhe ministri i Arsimit vlerëson se rrogat në arsim duhet të jenë më të larta, po se si do të arrihet kjo, ende nuk dihet.
“Do të ishte shumë e logjikshme, se ka një farë marrëveshjeje kolektive, që ajo të respektohet, atëherë paga jonë do të ishte 45 mijë denarë”, theksoi Ferat Nesimi, profesor gjimnazi “Kiril Pejçinoviq” Tetove.
Nënkryetari i Sindikatës për Arsim dhe Shkencë tregoi se rroga e mësuesve aktualisht është 20% më e madhe se rroga minimale dhe 20% më e vogël se rroga mesatare. Një mësues i shkollës fillore merr rreth 24,7 mijë denarë, ndërsa profesorët në shkollat e mesme 25,6 mijë.
“Republika e Maqedonisë së Veriut ka rroga më të vogla në rajon për arsim”, theksoi Tafa Ahmeti, nënkryetar i SAShK.
Mësimdhënësit vlerësojnë se nuk duhet lëvizur nga kërkesa për rritje me 18.4% të pagave të tyre.
Ministri Shaqiri u shpreh se buxheti për këtë vit tashmë është miratuar, ndërsa me rebalancin e të njëjtit do të shihet çdo mundësi për t’iu përgjigjur kërkesës.
“Çështja e 18.4% me implikimet fiskale të buxhetit janë më shumë se 2 miliardë denarë deri në fundvit”, tha Jeton Shaqiri, ministër për Arsim dhe Shkencë.
Shaqiri beson se çështja do të zgjidhet për 1 javë.
