Greva e grupit të Kumanovës, ASh: Maqedonia e Veriut po shkon drejt sistemit të Koresë së Veriut

TË FUNDIT

Nga Aleanca për Shqiptarët përmes një konference për shtyp kanë reaguar pas grevës së urisë që disa nga të burgosurit për rastin Kumanova kanë filluar, përcjell TV21. Nga ASh thonë se të burgosurve në fjalë nuk ju respektohen të drejtat elementare, ajo për vizita të familjarëve si dhe fundjava e lirë.

“Duam të njoftojmë opinionin se pesë nga të burgosurit, kanë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për fundjavë të lirë, por kjo e drejtë u mohohet nga drejtori i burgut edhe pse kanë marrë mendim pozitiv nga komisioni përkatës. Bëhet fjalë për Musadik Pajaziti të cilit tani e 19 muaj i takon e drejta për fundjavë, Arsim Bajramit që 18 muaj i takon fundjava e lirë, Elham Arifi tani e 12 muaj, Irfan Lutfiut 9 muaj dhe Seadodin Abdullai tani më 5 muaj plotëson kushtet për fundjavë të lirë”, theksoi Arben Zeqiri nga ASh.

Nga ASh i bëjnë thirrje institucioneve kompetente që sa më parë të zgjidhin problemet me të cilët po përballen të burgosurit.

“I bëjmë thirrje drejtorisë së burgut, ministrisë së drejtësisë, drejtorisë për zbatimin e saknksioneve dhe të gjitha institucioneve kompetente që të respektojnë ligjet në fuqi, konventat ndërkombëtare dhe Kushtetutën e vendit e cila thotë se para ligjit të gjithë janë të barabartë. Me trajtimin joadekuat që ju bëhet të burgosurve, Maqedonia e Veriut jo vetëm që konfirmon se është një regjim hibrid, por tanimë po shkon drejt sisteme si ajo e Koresë së Veriut”, tha Arben Zeqiri nga ASh.