Greqia synon të jetë aktivisht e pranishme në Gaza, si në pjesën humanitare ashtu edhe në rindërtim dhe rikonstruksion, theksoi zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, Lana Zohiu, në brifingun e sotëm të rregullt me gazetarët, duke nënvizuar se vendi e mbështeti rezolutën për planin e paqes të SHBA-së, të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Zohiu shpjegoi se Greqia, si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, “ka pasur rol aktiv në negociata dhe e ka mbështetur planin amerikan për Gazën, duke votuar pro”.
“Bëhet fjalë për një hap shumë të rëndësishëm dhe një mundësi historike që armëpushimi të jetë i qëndrueshëm dhe të konsolidohet stabiliteti në rajon. Prioritet në këtë moment është dërgimi masiv i ndihmave humanitare për civilët në Gaza, rindërtimi dhe rikonstruksioni i Gazës dhe, sigurisht, reforma e Autoritetit Palestinez, në mënyrë që ai fillimisht të mund të kthehet në Gaza, por edhe të krijohen kushtet e nevojshme për fillimin e procedurave politike për zgjidhjen me dy shtete”, shpjegoi zëdhënësja e MPJ-së greke.
Ajo përsëriti se qëllimi është që Greqia të jetë aktivisht e pranishme në Gaza, ndërsa pas vendimit të mbrëmshëm të Këshillit të Sigurimit “do të vlerësohen të gjitha parametrat për të marrë vendime për rolin që vendi do të ketë në rajon”./TV21
