Trupat e pajetë e tetë anëtarëve të ekuipazhit të avionit ukrainas të mallrave janë nxjerrë nga vendi i ngjarjes, pasi avioni u rrëzua mbremjen e së shtunës në Kavalla të Greqisë. Pasi u nis në drejtim të Kavallës, avioni u rrëzua rreth 40 kilometra në perëndim të aeroportit.
TV shtetëror “ERT” raportoi se avioni ishte një Antonov An-12 në pronësi të një kompanie ukrainase, e cila po fluturonte nga Serbia në Jordani. Piloti kishte kërkuar një ulje emergjente për shkak të një problemi me motorin, por sinjali i avionit humbi.
Në spitalin në Komotini ekspertët kanë ekzaminuar trupat e pajetë të anëtarëve të ekuipazhit. Më pas, trupat iu dorëzuan përfaqësuesve diplomatikë të Ukrainës në Greqi. Shkaku i rrëzimit të avionit ende nuk dihet.
Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha se avioni ishte në pronësi të kompanisë “Meridian” nga Ukraina, po transportonte 11.5 tonë armë që ishin nisur nga Serbia për në Bangladesh. Kompania ukrainase ishte pronarja e vetme e avionit dhe po mbante minahedhëse dhe mina të tjera të prodhuara nga kompania serbe “Valir”. Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, hodhi poshtë pretendimet e disa mediave se armët janë nisur për në Ukrainë, duke thënë se ato janë “keqdashëse dhe të dëmshme për Serbinë”.
Ndërkaq Greqia do të bëjë një demarsh me Serbinë për ngarkesën e avionit të rrëzuar në tokën e saj Antonov-12 që mbante në bord 11.5 ton armë. Sipas burimeve diplomatike, ambasadori i Greqisë në Beograd do të mbajë demarshin. Sipas televizionit shtetëror grek, “ERT”, ekspertë ushtarakë dhe të eksplozivëve, si dhe ekspertë të Komisionit grek të Energjisë Atomike pritet të përdorin dronin, përpara se të afrohen në vendin e rrëzimit, për shkak të toksicitetit.
