Greqia ktheu dy autobusë me punëtorë sezonalë shqiptarë për shkak të testeve të shpejta pozitive

TË FUNDIT

Rreth 50 shtetas shqiptarë, shumica prej tyre punëtorë sezonalë, u kthyen në Shqipëri me dy autobusë, pasi gjatë hyrjes në Greqi, pavarësisht se kishin certifikata për test negativ, testet e shpejta të kryera në pikën kufitare treguan rezultat pozitiv, publikuan mediat greke, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Që nga e premtja, në vendkalimin kufitar Kakavia, janë vendosur njësi lëvizëse të Organizatës Kombëtare për Shëndetin Publik të Greqisë dhe të gjithë atyre që hyjnë në vend u bëhen teste të shpejta për Kovid-19, megjithëse i detyrueshëm është edhe vërtetimi i një testi PCR negativ të bërë më parë.

Sipas mediave greke, bëhet fjalë për vërtetime të falsifikuara me rezultat negativ.

Deri më 20 nëntor, gjatë hyrjes në Greqi janë bërë teste molekulare PCR, por për shkak të vonesës së rezultateve, nuk ishte e mundur të kontrollohej menjëherë nëse vërtetimet me rezultat negativ ishin të sakta dhe për këtë arsye tani janë futur teste të shpejta.